LAJMET E MBRËMJES

Liderët e Evropës synojnë strategji të përbashkët në përballje me pasojat nga lufta në Ukrainë

Sfidat me të cilat Evropa është duke u përballur pas agresionit rus ndaj Ukrainës, kanë mbizotëruar diskutimet në takimin e parë të Bashkësisë Politike Evropian, që është duke u mbajtur në Pragë.

Liderë nga 44 shtetet janë bërë bashkë në kuadër të punimeve të këtij komuniteti, e i cili do t’i paraprijë takimit jozyrtar të Këshillit Evropian.

Presidentja Vjosa Osmani para fillimit të diskutimeve kryesore deklaroi se sfidat me të cilat është duke u përballur Evropa janë të mëdha.

“Me padurim pres pjesëmarrjen në diskutime, si dhe takimet dypalëshe me liderët e Evropës, sigurisht ajo me të cilën përballemi është e madhe, sfidat janë të mëdha, por jam shumë e bindur se nëse qëndrojmë të bashkuar, do të jemi në gjendje të jemi të suksesshëm në përballje me secilën prej këtyre sfidave”, ka thënë Osmani.

Sipas kancelarit gjerman, Olaf Scholz, të gjithë pjesëmarrësit në këtë takim, pushtimin rus të Ukrainës e konsiderojnë të papranueshëm.

“Ata që po takohen këtu e dinë se sulmi rus ndaj Ukrainës është shkelje brutale e rendit të sigurisë dhe paqes që kemi pasur në Evropë në dekadat e fundit. Është e rëndësishme që ky sulm të mos pranohet, ne nuk pranojmë që pjesë të fqinjit tonë të aneksohen”, u shpreh Scholz.

Scholz theksoi se ky samit nuk duhet të shndërrohet në një institucion të ri.

Iniciuesi i këtij samiti, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, potencoi se nga diskutimet synojnë të arrijnë një plan veprimi të përbashkët.

“Synimi, pikë së pari, është që ne të ndajmë pikëpamjet për situatën që po prek Evropën, por po ashtu për të ndërtuar një strategji të përbashkët”, deklaroi Macron.

Iniciativat e tilla për të bërë bashkë liderët e Evropës, sipas analistit, Visar Xani, janë pozitive, në veçanti për vendet e Ballkanit Perëndimor e aspiratat e tyre drejt BE-së

“Jemi në një fazë që vendet e BE-së, kryesisht Gjermania e Franca po japin ide, ide që ende janë në test por që ka indikacione se mund të kenë një lloj suksesi, mund të ketë një lloj koordinimi dhe mund të ketë një lloj bashkëpunimi. Ne e shohim që edhe Gjermania ka dalë me disa ide, edhe Franca me disa ide, këto janë dy superfuqi të BE-së dhe po mundohen t’i shtyjnë përpara vendet brenda Bashkimit Evropian”, vlerësoi Xani.

Në takimin jozyrtar të krerëve të shteteve të BE-së, që do të mbahet të premten, temë diskutimi po ashtu do të jenë lufta e Rusisë në Ukrainë si dhe energjia e situata ekonomike.