LAJMET E MBRËMJES

Lajçaku të mërkurën pret kryenegociatorët, dy çështje në fokus të diskutimeve

Nesër në Bruksel emisari Miroslav Lajçak do të presë kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviq. Në BE theksuan se fokusi do të jetë te zbatimi i plotë i Marrëveshjes së 27 shkurtit dhe tek hapat drejt shtensionimit të situatës në veri.

Bashkimi Evropian ka ndërmarrë veprime për ta zbatuar hapin e katërt, në kuadër të marrëveshjes me Kosovën për depërshkallëzimin e situatës në veri.

Autoritetet në Prishtinë theksuan të dielën se brenda javës së parë kanë përmbushur tri zotimet e marra në Bratisllavë, e i katërti thekson se në javën e dytë BE-ja fton kryenegociatorët, me synim finalizimin e planit të sekuencimit të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi, pas së cilës do të fillojë zbatimi i përnjëhershëm i të gjitha neneve të marrëveshjeve.

Takimi mes kryenegociatorëve është planifikuar për të mërkurën.

“Nesër, Miroslav Lajçak do t’i presë kryenegociatorët e të dyja palëve në kundër të dialogut të ndërmjetësuar në Bruksel. Fokusi do të jetë te zbatimi i plotë i Marrëveshjes së 27 shkurtit dhe hapat drejt shtensionimit të situatës në veriun e Kosovës”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Petar Petkoviq.

Çështjet në lidhje me dialogun, një ditë më parë janë diskutuar edhe në mes emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak dhe kryeministrit Albin Kurti, në kuadër të simpoziumit të SYM-it në Greqi.

Lajçaku e vlerësoi të dobishëm diskutimin për situatën aktuale në veri dhe rrugën drejt shtensionimit, si dhe për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të dialogut.

“Në Simpoziumin e SYM-it të këtij viti pata një diskutim të dobishëm me kryeministrin Albin Kurti për situatën aktuale në veri të Kosovë dhe rrugën drejt shtensionimit, si dhe për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të dialogut”, ka thënë Lajçak.

Takimin mes Lajçakut e Kurtit, të martën e ka kritikuar, deputeti i Lidhjes Demokratike, Avdullah Hoti.

“Stop dialogut nëpër skuta e hotele të plazheve. Dialogu të zhvillohet në Bruksel dhe Uashington”, ka thënë Hoti.

Përveç takimit të kryenegociatorëve në Bruksel, Kosova është pajtuar që reduktoj për 25 për qind prezencës e Policisë së Kosovës në dhe përreth ndërtesave komunale në veri. Po ashtu, edhe që të bëhet vlerësim i sigurisë mes Policisë, EULEX-it dhe KFOR-it, dhe që Qeveria të bëjë një deklaratë publike në mbështetje të mbajtjes së zgjedhjeve në katër komunat në veri.