Rreziku nga dështimi i zbatimit të udhërrëfyesit për energjinë, si dhe nga përshkallëzimi i situatës me të përfunduar afati për konvertimin e targave ilegale në RKS, solli në Kosovë emisarin e Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak.
Të enjten, ai takoi kryeministrin Albin Kurti e zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.
Ndonëse tha se nuk mund të japë shumë detaje, emisari evropian bëri të ditur se është diskutuar edhe për hapat që do të ndiqen pas propozimit gjermano-francez.
“Pika e parë e diskutimit ishte rruga përpara për normalizimin dhe vazhdimin e diskutimit tonë që nisëm së fundmi, i cili vazhdoi edhe me ndërhyrjen e presidentit Macron, edhe të kancelarit Scholz dhe telefonatës së sekretarit Blinken. Kemi diskutuar edhe hapat e ardhshëm”, tha Lajçak.
Lajçaku tha se janë të interesuar të dinë veprimet e ekzekutivit për t’i shmangur tensionet në veri, derisa potencoi edhe mundësinë që kompanisë Elektrosever t’i tërhiqet licenca.
“Është shumë e rëndësishme për mua, për ne, Bashkimin Evropian dhe komunitetin ndërkombëtar që të dimë se cili është plani për ta shmangur situatën e cila mund të eskalojë sepse kjo nuk është në interesin e askujt, e kur vjen çështja e energjisë, jemi në proces të konsultimit, ka rrezik t’i tërhiqet licenca Elektroseverit, gjë që nuk duam të ndodhë kjo”, shtoi ai.
Por, i qasshëm për gazetarët pas takimit me Lajçakun nuk ishte edhe kryeministri Albin Kurti.
Madje ai është tallur me insistimin e gazetarëve për të marrë një qëndrim për diskutimet me emisarin e BE-së, nga vizita që menjëherë pas takimit me Lajçakun iu bëri bujqve në Gjilan.
“Teksa bisedonim me bujqit, gazetarja që na ndiqte nëpër ara po më pyeste me insistim për Lajçakun. Unë e pyeta traktoristin për Lajçakun, por ai tundi kokën e i dha gaz traktorit”, u shpreh Kurti.
Megjithëkëtë, Kurti tha se e kanë të rëndësishme zbatimin e marrëveshjes për energjinë.
"Te çështjet aktuale kryesorja për ne është zbatimi i marrëveshjes së energjisë, në mënyrë që edhe në veri të Ibrit të fillojë inkasimi për energjinë e konsumuar, sepse nuk ka kurrfarë kuptimi që ta shfrytëzosh energjinë elektrike nga burimet e Kosovës e të mos paguash asgjë”, tha kryeministri.
Kurti e Lajçak nuk treguan kur do të mbahet takimi i radhës i nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Vizitat e emisarit të BE-së në Kosovë janë shpeshtuar që nga fund gushti. Së fundi, ai ishte në Kosovë një muaj më parë.