LAJMET E MBRËMJES

Kurti vendos për pjesëmarrje në takimin në Bruksel pasi të marrë informata për policët e rrëmbyer

Shefi i Zyrës Ndërlidhëse në Beograd, Jetish Jashari, të martën pritet të vizitojë tre policët e rrëmbyer të Kosovës e që janë duke u mbajtur në paraburgim në Serbi, ka bërë të ditur kryeministri Albin Kurti. Madje Kurti tha se vendimi për pjesëmarrje në takimin me Vuçiqit varet nga informacionet që do t’i marrë për policët.

Informacionet që do të merr për tre policët e rrëmbyer do të determinojnë pjesëmarrjen apo jo të kryeministrit Albin Kurti në takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuciq.

Kurti e Vuçiq u ftuan nga përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, që të diskutojnë këtë javë lidhur me gjetjen e një zgjidhjeje për shtensionimin e situatës.

Kurti bëri të ditur se shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, pritet të vizitojë tre policët që po mbahen në paraburgim të martën.

“Kur t’i kem të dhënat nga kjo vizitë e tre policëve tanë që po mbahen peng në Serbi si hakmarrje për luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit në Kosovë, do ta marr vendimin dhe do ta jap njoftimin”, tha Kurti.

Për takimin me Vuciqin, kreu i ekzekutivit ka përmendur datat 22 dhe 23 qershor, por të martën ato nuk u konfirmuan nga BE-ja.

Kurti ka folur edhe për situatën në veri.
Ka thënë se për Policinë e Kosovës, çdo komunë është e njëjtë dhe veprimi i tyre bëhet duke u bazuar në Kushtetutë.

“Për shkak se ka ekstremistë të ndryshëm dhe për shkak se ka grupe kriminale, duhet të ketë Polici të Kosovës në këto ndërtesa, unë kam kërkuar që Policia e Kosovës ta zvogëlojë numrin e policëve gradualisht, me sundimin e ligjit që bën që të përballen me drejtësi ata kriminelë që sulmuan KFOR-in dhe gazetarët”, deklaroi Kurti.

Në fundjavë kryeministri Kurti tha se për pjesëmarrjen në takimin me Vuçiqin do të vendosë këtë javë, derisa presidenti i Serbisë tha se nuk ka çka të bisedojë me Kurtin.

Por Vuçiqi ka thënë se vendimi përfundimtar pritet ta marrë gjatë javës.