LAJMET E MBRËMJES

Kurti nuk e përjashton mundësinë e kompromiseve në dialog

Kryeministri Albin Kurti ka mohuar çfarëdo lëvizjeje qëndrimi nga ai apo nga Qeveria në raport me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

E ka thënë këtë një ditë pasi raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, theksoi në “Interaktiv” të KTV-së se është e informuar që Qeveria do të bëjë një propozim për Asociacionin.

“Kosova e ka Asociacionin e komunave. Dhe besoni që mua si kryeministër mjaft po më del ky asociacion i komunave të Kosovës ekzistuese”, u shpreh Kurti.

Ai ka përsëritur se në qendër të marrëveshjes me Serbinë do të jetë njohja reciproke dhe jo Asociacioni. Megjithëkëtë, ai ka lënë të kuptohet se në proces do të ketë edhe kompromise.

“Unë nuk them që në marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk do të ketë asgjë tjetër përveç njohjes reciproke, por njohja reciproke është në qendër, jo kompromisi. Por, nuk do të jetë kompromisi në qendër pa u pranuar qendra për çfarë kompromisi po flasim”, pohoi ai.

Në adresimin para mediave, pas mbledhjes së Qeverisë, kryeministri ka bërë të ditur se nuk ka ndonjë ftesë nga Brukseli për takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Tek ka folur për marrëveshjet që janë në proces negocimi, ai fajin e ka gjuajtur te Serbia për bllokimin e progresit në çështjen e targave, ndërkaq është shprehur optimist se së shpejti do të arrihet një marrëveshje për energjinë.

Sipas Kurtit, pagesa që e bën Qeveria për rrymën e shpenzuar në veri nuk do të bëhet pafundësisht.

“Ne nuk do të mund të vazhdojmë kësisoj edhe një dimër tjetër. Por edhe një herë po e ritheksoj: jemi duke paguar shumë shtrenjtë padrejtësisht për sovranitetin tonë në tërë territorin e Republikës dhe gjithashtu duke shprehur humanitetin tonë që të mos ketë shkyçje rajonale apo shkyçje të gjithmbarshme të një zone të caktuar”, deklaroi Kurti.

Prejse Kurti është zgjedhur kryeministër, ka pasur tri takime me presidentin serb, ndërkaq ka arritur gjithsej një marrëveshje të përkohshme me Serbinë – atë për targat.