Kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e Këshillit të Vetëvendosjes, ka theksuar se kurrë nuk do të lejohet që të preken pavarësia, sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës. Kurti ka deklaruar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës do të dalë e pastër, siç e quajti ai, nga gjyqet e imponuara padrejtësisht nga politikanë të cilëve u mungonte largpamësia.
Kreu i partisë më të madhe në vend ka thënë se nuk do të lejohet kurrë që të preken pavarësia, sovraniteti e integriteti territorial i Kosovës.
Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, ai ka folur rreth veprimeve të Serbisë gjatë luftës në Kosovë dhe atyre të Rusisë tani në Ukrainë.
Kurti ka theksuar se këto dy vende janë në lidhje historike e kulturore me njëra-tjetrën dhe në linjat e autokracisë e despotizmit, agresionit dhe gjenocidit.
“Kur kërkojmë të respektohen pavarësia dhe integriteti territorial i Ukrainës, as që bëhet fjalë të mendohet se do të tolerojmë prekjen e pavarësisë, sovranitetit apo integritetit territorial të Kosovës. Këto nuk janë të diskutueshme asnjëherë, askund për neve. Sot në botë jemi dëshmitarë që është rikthyer politika fashiste, herë e drejtpërdrejtë, herë e maskuar. Politikë e sponsorizuar nga Moska, nga Kremlini, nga Putini. Pikërisht sot është rikthyer në plan të parë rëndësia e të qenit antifashiste”, ka përfunduar ai.
Kurti ka deklaruar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës do të dalë e pastër, siç e quajti ai, nga gjyqet e imponuara padrejtësisht nga politikanë të cilëve u mungonte largpamësia.
Kurti gjatë së dielës ka kritikuar edhe ish-partnerin qeverisës, Lidhjen Demokratike të Kosovës, ku tha se Qeveria u rrëzua si shkak i paqëndrueshmërisë së kësaj partie.
Derisa ka përmendur arritjet gjatë mandatit të tij, Kurti tha se “vidhet shumë më pak”.
“Rexhep Selimi, aktivisti ynë, deputeti në Kuvendin e Republikës, gjenerali i UÇK-së, që e kishim anëtar kryesie, e kishim edhe shef të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për të cilin kemi shumë krenari dhe mall, paçka se çmallemi kur kontaktojmë me të. Por jam i sigurt se shpejt do ta kemi sërish, teksa urojmë që të lirohet nga ato akuza të pabaza që u janë bërë atij dhe të tjerëve... UÇK-ja ishte dhe është e drejtë dhe do të del e pastër, edhe nga gjyqet e imponuara padrejtësisht nga politikanë të cilëve u mungonte largpamësia”, theksoi Kurti.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje tha se përkundër zgjedhjeve të shpeshta qendrore, ka pasur stabilitet në partinë e tij.
Edhe pas daljes së shumë deputetëve nga Vetëvendosje, Kurti tha se partia që drejton vetëm se është rritur.
Ai ka thënë se Vetëvendosja është partia e vetme parlamentare që përqafon një politikë progresiste, socialdemokrate dhe aktiviste kundër diskriminimeve.