Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, javën e ardhshme do të udhëtojnë drejt Zvicrës për të marrë pjesë në Forumin që do të mbahet në Davos. Në Qeveri nuk zbardhën agjendën e kryeministrit dhe as nuk konfirmuan nëse ai do të takohet me presidentin serb.
Forumi Ekonomik Botëror që do të mbahet javën tjetër në Zvicër, do t’i bëjë bashkë kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Pjesëmarrjen e të dyve në këtë forum, të premten e ka kumtuar ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.
“Forumi Ekonomik Botëror në Davos do të nisë javën tjetër. Nga të gjitha temat relevante, “Arritja e sigurisë dhe bashkëpunimit në një botë të ndarë”, në veçanti reflekton për Kosovën, dialogun Kosovë-Serbi dhe gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. I kënaqur që shoh se Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq do të jenë prezentë”, ka thënë Rohde.
Qeveria nuk ka zbardhur agjendën e kryeministrit Kurti në këtë forum dhe as nuk ka konfirmuar takimin e mundshëm me presidentin serb.
“Kryeministri Kurti do të marrë pjesë javën e ardhshme në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër. Sa i përket agjendës së kryeministrit atje, ajo ende nuk është finale, andaj dhe për takimet të cilat do të zhvillohen në margjina të forumit do të njoftoheni me kohë”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.
Kurti e Vuçiq për herë të fundit janë takuar në shtator të vitit të kaluar në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Takimi pati përfunduar pa ndonjë rezultat, ndërsa palët akuzuan njëra-tjetrën për dekonstruktivitet.
Në të njëjtin vend, por jo mes vete, takime Kurti e Vuçiqi kanë zhvilluar edhe një muaj më vonë me liderë të lartë evropianë.
Në Qeveri kanë thënë se asnjëherë nuk kanë refuzuar takime në kuadër të dialogut, por se rrjedhën e procesit e ka ndikuar sulmi në Banjskë.
“Kryeministri Kurti më 22 dhjetor të vitit të kaluar ka renditur shtatë pika drejt normalizimit të marrëdhënieve në vitin 2024. Siç shënon në pikën e parë pas ngjarjes së 24 shtatorit, për ne ka qenë dhe vazhdon të jetë prioritet siguria e vendit dhe integriteti territorial i shtetit. Sepse Serbia është deklaruar haptazi se nuk e njeh integritetin territorial të Kosovës dhe në të njëjtën kohë autorët dhe pjesëmarrësit në atë sulm vazhdojnë të jenë të lirë në Serbi dhe me motive të larta hakmarrëse. Ne jemi të bindur që Bashkimi Evropian duhet të përdorë autoritetin e tyre për të siguruar se ngjarjet si ajo e 24 shtatorit të mos përsëritet. E kjo arrihet duke e dënuar Serbinë me sanksione për përfshirjen e saj në atë sulm dhe për motive e saj destablizuese, dhe duke i kërkuar asaj ekstradimin e Radoiçiqit në Kosovë për t'u përballur me drejtësisë këtu, sipas pikës së dy dhe tre të shtatë pikëshit të Kryeministrit”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
Forumi Ekonomik në Davos të Zvicrës do të nisë më 15 janar dhe do të zgjasë katër ditë, derisa “Rindërtimi i besimit” është motoja e edicionit të 54-t të tij.