LAJMET E MBRËMJES

Kurti e Sveçla ftojnë të rinjtë nga komunitetet joshumicë të bëhen pjesë e Policisë

Kryeministri Albin Kurti e ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, u kanë bërë thirrje të rinjve nga komunitetet joshumicë që t’u bashkohen institucioneve të sigurisë. Në Ditën Informuese për Komunitetet në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri, ata u takuan me të rinjtë e interesuar për të qenë pjesë e Policisë

Interesimi për t’u bërë pjesë e Policisë së Kosovës në të ardhmen i ka bërë bashkë këta të rinj nga komunitetet joshumicë në Vushtrri.

Nxënës nga komunat: Ferizaj, Fushë-Kosovë, Graçanicë, Gjakovë, Lipjan, Mitrovicë, Obiliq, Shtime e Prishtinë, morën pjesë në ditën e Informimit për Komunitetet në Akademinë e Sigurisë Publike.

Disa prej tyre thënë se informacionet që kanë marrë ua kanë rritur dëshirën për t’u uniformuar.

“Na sot kem ardhë këtu për me marrë më shumë dijeni për Policinë e Kosovës, çfarë bëhet këtu dhe synimi jonë është që të bëhemi pjesë e Policisë së Kosovës, sepse mendoj që edhe ne mundemi me bo diçka për Policinë e Kosovës në të ardhmen”, ka thënë Patriot Ilazi nga Shtimja.

E një pjesëmarrës tjetër tha se pos dëshirës për t’u bërë polic, në këtë ngjarje erdhi për kryeministrin Albin Kurti.

“Vetëm me pa se dyqysh është krahu jonë, gjithmonë na ka përkrahë neve, komunitetet rom, ashkalinj dhe egjiptian. U kanë gjithë i pari për neve”, ka thënë Ismail Emrushi.

Të rinjve nga komunitetet joshumicë kryeministri Kurti u bëri thirrje që të bëhen pjesë e institucioneve të sigurisë. Foli për rëndësinë e Akademisë në mbrojtjen e kufirit, por edhe për rezultatet e Policisë viteve të fundit.

“Nga fillimi i mandatit tonë qeverisës janë organizuar mbi 1000 operacionale policore kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës, janë shkatërruar 100 grupe kriminale, 16 laboratore të drogës dhe janë arrestuar mbi 3 mijë e 800 persona”, ka thënë Kurti.

E, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se dyert janë të hapura për të gjithë qytetarët.

“Nga këtu shpreh garancinë time që në institucionet tona do të jenë të hapura dyert për ju dhe gjithmonë në shërbim të të gjithë qytetarëve tanë pa dallim. Radhët tona mirëpresin secilin prej jush për të dhënë kontributin tuaj”, ka thënë Sveçla.

Nikoqiri i takimit, zv.drejtori i Akademisë për Siguri Publike, Kastriot Jashari, tha se qendra është shembull i bashkëpunimit e integrimit të komuniteteve në jetën e përditshme.