LAJMET E MBRËMJES

Kurti: Barrikadat në veri nuk i përfaqësojnë serbët e Kosovës

Kundërshtimi i zbatimit të vendimeve të Qeverisë së Kosovës duke vendosur barrikada bëhet nga Serbia e jo nga qytetarët serbë të Kosovës, ka thënë kryeministri Albin Kurti. Në mbledhjen e Qeverisë, Kurti ka ftuar serbët që të ndërrojnë targat në RKS e të mos bien pre e dezinformatave.

Porosi për serbët e Kosovë ka përcjellë kryeministri Albin Kurti në hapjen e mbledhjes së kabinetit qeveritar.

Kurti përsëriti se nga një shtatori do të fillojnë së zbatuari vendimet për targat e për reciprocitet në dokumentet identifikuese.

“Ne e dimë që barrikadat që rëndom vendosen në veri nuk vijnë nga poshtë, por vendosen nga lart, ato as nuk ju përfaqësojnë juve qytetarëve tanë, as nuk ju mbrojnë juve, në anën tjetër Policia e Kosovës dhe institucionet e tjera të sigurisë edhe përbëhen nga qytetarët tanë pa dallim edhe janë në shërbim të qytetarëve tanë pa dallim”, ka thënë Kurti të mërkurën.

Kreu i Qeverisë ka thënë se fushata informuese për vendimet e Qeverisë është sfiduar me informata të pavërteta si ajo për konfiskimin e dokumenteve.

Një e tillë, sipas kryeministrit Kurti, synonte destabilitetin.

“Në përbërje me individë të armatosur me të kaluar kriminale, barrikadat u bënin rezistencë vendimeve tona vetëm që të mbronin krimin e organizuar në veri të vendit. Të dashur bashkëqytetarë, konvertimi i targave të automjeteve nga ato ilegale në ato RKS u shërben rendit dhe ligjit, sigurisë publike dhe lëvizjes së lirë në gjithë Republikën tonë”, ka thënë ai.

Në mbledhjen e ekzekutivit u miratua propozimi i ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, për shkarkimin e tre anëtarëve të bordit të Infrakosit.

“Ndërmarrja Infrakos ka ngecur në realizimin e objektivave afariste, megjithëse për këtë ngecje nuk ka shkaqe objektive që mund të merreshin parasysh, Qeveria konsideron se anëtarët e bordit kanë bërë shkelje të detyrave duke mos adresuar me efikasitetin e duhur, morinë e problemeve me të cilat kjo ndërmarrje ballafaqohet”, u shpreh në arsyetim ajo.

Krahas propozimit për shkarkim, ministrja Rizvanolli kërkoi përkrahje për emërimin e bordit të përkohshëm të kësaj ndërmarrjeje.

Përveç Infrakosit, ndër tjerash, Qeveria emëroi edhe bordin e ndërmarrjes Trainkos, si dhe ato për kompanitë rajonale të ujësjellësit në Prizren, Gjakovë e Ferizaj.