LAJMET E MBRËMJES

KPM-ja u kërkon deputetëve që me ligj ta adresojnë koncentrimin e pronësisë së mediave

Rreziku për monopolizim të tregut mediatik, si dhe bartja e kundërligjshme e pronësisë së tyre pa u aprovuar nga KPM-ja janë ngritur si shqetësime në Komisionin parlamentar për Administratë dhe Media. Në të u kërkua nga ligjvënësit që me ligj ta adresojnë koncentrimin e pronësisë së mediave.

Në Komisionin Parlamentar për Administratë dhe Media është shprehur shqetësimi për rrezikun për monopolizim të tregut mediatik, veçanërisht nga ofruesit e shërbimeve kabllore e edhe për shkeljet ligjore gjatë bartjes së pronësisë së mediave.

Ato u theksuan, gjatë raportimit të anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media, para deputetëve.

“Për shembull, është përmendur kur një kompani mediale vjen në KPM dhe kërkon transfer të pronësisë pasi i ka kryer procedurat në ARBK, atëherë kjo është në kundërshtim me atë (Ligjin për KPM-në) ngase paraprakisht duhet të sigurojë nga ne një aprovim që është në rregull ta kalojë pronësinë. Nuk është në pyetje një ofrues i shërbimeve audiovizuale, por disa”, tha Besnik Berisha, anëtar i Bordit të KPM-së.

“Ka dashur domethënë të bëjë një monopolizim të tregut medial. A jeni në dijeni për këto veprime që kanë ndodhur më herët si komision dhe nëse jeni në dijeni, atëherë kërkojmë prej jush që t’i shqyrtoni të gjitha veprimet e mëhershme që vendimet e jashtëligjshme të mëhershme që kanë ndodhur në atë kohë dhe të ndërmerrni masa konform ligjit që është në fuqi”, tha deputeti i Vetëvendosjes, Fitim Haziri.

“Absolutisht ne si anëtarë të komisionit për media jemi të interesuar që të mos ketë monopol medial dhe këtë besoj që e ka rregulluar shumë mirë edhe ligji kosovar, sepse kjo është në dëm të lirisë dhe pavarësisë së mediave”, tha deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku.

Anëtarë të Bordit të KPM-së u kërkuan deputetëve që dispozitat për rregullim të tregut medial të forcohen.

Kryetari i Komisionit, Jeton Mehmeti, thotë se ka pranuar një draft të rregullores lidhur me parandalimin e koncentrimit të pronësisë së mediave, që është hartuar nga ekspertë të Bashkimit Evropian, por ai shtroi nevojën që kjo çështje të rregullohet me ligj.

“Ne si komision i ri e kemi parë draftin, e kemi analizuar, por ende nuk i kemi ndërmarrë veprimet konkrete për ta sjellë në publik. Kjo për arsye se rregullat mbi koncentrimin medial supozojmë që do të ishte mirë të gjenden në ligjin e ri për Komisionin e Pavarur të Mediave”, tha Mehmeti.

E në qoftë se brenda vitit nuk bëhet ndonjë lëvizje nga institucionet për ta adresuar me ligj çështjen e koncentrimit të pronësisë së mediave, sipas Mehmetit, KPM-ja do ta hedhë në konsultim publik draft-rregulloren.