LAJMET E MBRËMJES

Kontestohet shkarkimi i Kelmendit nga posti i u.d. të kryeprokurorit

Gjysma e anëtarëve të Këshillit Prokurorial, si dhe shoqëria civile e kanë kontestuar vendimin e marrë të enjten nga gjysma tjetër e KPK-së për shkarkimin e Besim Kelmendit nga pozita e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të Shtetit. Në reagimin e tyre thuhet se KPK-ja nuk ka pasur kuorum për vendimmarrje, gjë që është konstatuar fillimisht edhe nga vetë anëtarët që kanë votuar për shkarkimin e Kelmendit. Për gjithë këtë është fajësuar kryeprokurori i Speciales, Blerim Isufaj

Në një mbledhje të tensionuar të Këshillit Prokurorial (KPK) që ka kulmuar me largimin e pesë anëtarëve, pesë të tjerë të mbetur në takim kanë votuar të enjten për shkarkimin e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.

Pesëshja e mbetur në takim, përfshirë kryesuesin Arian Hajdaraj, e ka votuar gjithashtu Agron Qalajn për ushtrues të ri të detyrës së kryeprokurorit. 

Por kjo është kontestuar nga pesë anëtarët e tjerë të Këshillit: Arian Gashi, Dardan Vuniqi, Veton Shabani, Visar Krasniqi dhe vetë Kelmendi, të cilët janë larguar nga mbledhja. 

Pak para ndërprerjes së mbledhjes, kryesuesi Hajdaraj e ka çuar këshillin në pushim pesëminutësh me arsyetimin se nuk ka kuorum. 

Mirëpo me të njëjtën përbërje, pas kthimit nga pauza, ai ka konstatuar se ka kuorum. 

Propozimin për ta futur në rend të ditës pikën për shkarkimin e Kelmendit e ka dhënë anëtarja Jehona Grantolli, e cila edhe e pati propozuar atë për këtë pozitë. Ajo e ka kritikuar Kelmendin edhe për konferencën e një dite më parë, ku ai ka folur për punën e tij në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë deri në marsin e vitit 1999.

“Çdo vendim i juaji nuk e prek vetëm një emër, një dosje apo një mandat, por e prek besimin e një kombi të tërë, aq më tepër që keni parë vetë se për çfarë po bëhet fjalë. Ky besim nuk fitohet me deklarata, por me transparencë dhe moral profesional. Është koha të tregojnë se Këshilli Prokurorial nuk lëkundet nga presioni, nuk ndikohet nga rrethanat e interesit dhe nuk i përket askujt tjetër përveç publikut”, ka thënë Grantolli.

Pak kohë më vonë, Këshilli Prokurorial e ka zyrtarizuar vendimin për shkarkimin e Kelmendit dhe për emërimin e Qalajt në pozitën e njëjtë.

“Pas një ndërprerjeje të shkurtër, kryesuesi Hajdaraj së bashku me anëtarët e tjerë të pranishëm të KPK-së, vazhduan takimin, me të vetmen pikë të rendit të ditës: shqyrtimin e propozimit për shkarkimin nga detyra e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, z. Kelmendi, ku u miratua shkarkimi i tij. Në vijim, Këshilli Prokurorial i Kosovës mori vendim për caktimin e z. Agron Qalaj, prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, në detyrën e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet në njoftimin e KPK-së.

Anëtarët e larguar nga mbledhja kanë thënë se vendimi është i kundërligjshëm, pasi që është marrë pa kuorumin e nevojshëm prej 5 + 1 anëtarësh. 

Njëri prej këtyre anëtarëve, Visar Krasniqi, e ka lexuar një deklaratë të përbashkët, në të cilën është fajësuar kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, për puç institucional.

“Largimi ka qenë i vetmi mekanizëm i mbështetur prej pesë anëtarëve për ta ndaluar një akt të paligjshëm. Propozimi për shkarkimin e z. Kelmendi bazohet në një logjikë të qartë të një puçi institucional, duke tentuar të vendoset përfundimisht mbi udhëheqjen e prokurorisë së shtetit në mënyrë të jashtëligjshme. Prapa të gjithë këtij organizimi qëndron kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj”, ka thënë Krasniqi.

Isufaj ka gati katër vjet që është propozuar nga KPK-ja për kryeprokuror të Shtetit, porse nuk është dekretuar nga presidentja Vjosa Osmani. Ky post është mbuluar me ushtrues detyre, e që nga KPK-ja i është dhënë Besim Kelmendit.

Pesë anëtarët e grupit që e kanë braktisur mbledhjen të enjten po ashtu u kanë bërë thirrje organeve të sigurisë që ta shtojnë kujdesin për sigurinë e tyre, meqë kanë thënë se ndihen të rrezikuar.

“Ftoj Policinë e Kosovës që të kujdeset për nivelin e sigurisë e anëtarët që sot jemi këtu... Ftojmë partnerët ndërkombëtarë, organizatat e shoqërisë civile dhe mediat që t’i monitorojnë me kujdes që cenojnë funksionalizimin e mekanizmit të sundimit të ligjit”, ka theksuar anëtari Krasniqi. 
E Kelmendi ka thënë se plani i grupit që ka votuar për shkarkimin e tij ka qenë që të ketë një votë më pak kundër në këshill.

Vendimi i KPK-së është kritikuar edhe nga shoqëria civile. 

Në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) këtë zhvillim e kanë quajtur “tentativë të hapur të grupit të interesit brenda KPK-së për të ruajtur përbërjen korporatiste”. Në IKD e kanë shpërndarë edhe përmbajtjen e letrës së ambasadorit të Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Aivo Orav, i cili në maj të këtij viti ka shkruar se nismat, si ajo për shkarkimin e Kelmendit, në rast se çohen përpara, atëherë BE-ja do t’i konsiderojë KPK-në dhe anëtarët e saj si pengues të qëllimshëm dhe të drejtpërdrejtë të reformës në drejtësi.

“Katër nga pesë anëtarët që sot në mënyrë të kundërligjshme dhe abuzive shkarkuan u.d. e kryeprokurorit, e përfundojnë mandatin e tyre në janar të vitit 2026. Nisur nga kjo situatë dhe diskutimet paraprake të KPK-së në lidhje me zgjedhjen e një anëtareje të re në KPK, kjo situatë është tentativë e hapur e grupit të interesit brenda KPK-së për të ruajtur përbërjen korporatiste, me të cilën ka qeverisur tash e mbi një dekadë”, kanë thënë në IKD.

E në GLPS kanë theksuar se votimi është i pavlefshëm, pasi që nuk është miratuar as rendi i ditës. 

“GLPS konsideron se vendimet për shkarkimin e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, dhe caktimi në këtë pozitë i prokurorit Agron Qalaj, janë në kundërshtim të plotë me Ligjin për KPK-në dhe Rregulloren për Organizimin dhe Veprimtarinë e KPK-së. Konkretisht, dispozitat ligjore përcaktojnë qartë se mbledhjet e KPK-së mund të zhvillohen dhe të marrin vendime vetëm nëse sigurohet kuorumi i nevojshëm, ndërsa rendi i ditës dhe vendimet duhet të merren me shumicë votash. Mosrespektimi i këtyre dispozitave e bën të pavlefshëm çdo vendim të marrë në kundërshtim me procedurat e detyrueshme ligjore”, kanë theksuar në këtë organizatë të shoqërisë civile.

Reagim lidhur me këtë çështje ka pasur edhe nga Shoqata e Prokurorëve. Në një letër të publikuar, në këtë shoqatë kanë thënë se zhvillimet përbëjnë shqetësim të madh.

Kelmendi të mërkurën ka mbajtur konferencë shtypi, në të cilën ka mohuar raportimet e një mediumi se në vitin 1999 ka qenë asistent i gjyqtares serbe Danica Marinkoviq, për rastin e masakrës së Reçakut. Ai është intervistuar për këtë ngjarje tragjike nga Prokuroria Speciale.