LAJMET E MBRËMJES

Kontestohet emërimi i pasardhësit të Rakiqit nga kryeministri Kurti

Kryeministri Albin Kurti ka emëruar Nenad Rashiqin ministër për Komunitete dhe Kthim, pas dorëheqjes së Goran Rakiqit. Por vendimi është kontestuar për shkak të pretendimeve se Kurti shkeli nenin 96.5 të Kushtetutës, i cili kërkon që çdo emërim jashtë subjektit që përfaqëson serbët e Kosovës duhet të bëhet në konsulta me ta. E, partia e vetme që përfaqëson serbët në institucionet e Kosovës, Lista Serbe, vendimin e ka cilësuar arbitrar, duke paralajmëruar dërgimin e tij në Gjykatën Kushtetuese

Kryeministri Albin Kurti nuk e ka lënë vakante për kohë të gjatë pozitën e ministrit për Komunitete dhe Kthim. Pas dorëheqjes së Goran Rakiqit, Kurti e ka emëruar të enjten në krye të këtij dikasteri Nenad Rashiqin. Por vendimi është kontestuar për shkak të nenit të Kushtetutës, i cili përcakton mënyrën kur një ministër emërohet jashtë subjektit që përfaqëson shumicën e atij komuniteti. Rashiq është kryetar i Partisë Demokratike Progresive, që nuk ka përfaqësim në Kuvendin e Kosovës.

Pika 5 e nenit 96 të Kushtetutës përcakton se zgjedhja e ministrave apo zëvendësministrave vendoset pas konsultimit me partitë që përfaqësojnë komunitetet që nuk janë shumicë në Kosovë. Nëse caktohen kandidatë jashtë deputetëve të Kuvendit, për këta ministra apo zëvendësministra kërkohet miratimi formal i shumicës së deputetëve të Kuvendit që përfaqësojnë atë komunitet.

“Zgjedhja e këtyre ministrave dhe zëvendësministrave do të vendoset pas konsultimit me partitë, me koalicionet ose grupet që përfaqësojnë komunitetet që nuk janë shumicë në Kosovë. Nëse caktohen kandidatë jashtë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për këta ministra e zëvendësministra kërkohet miratimi formal i shumicës së deputetëve të Kuvendit, të cilët u përkasin partive, koalicioneve, nismave qytetare dhe kandidatëve të pavarur, të cilët janë deklaruar se përfaqësojnë komunitetin në fjalë”, thotë neni i Kushtetutës.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë për KOHËN se Kushtetuta e vendit i jep kompetencë të plotë kryeministrit Kurti që të bëjë ndryshime në kabinetin qeverisës pa pëlqimin apo aprovimin e Kuvendit.

“Duke e njohur si shef të pakontestuar të Qeverisë, Kushtetuta i jep autoritetin kryeministrit që të ndërrojë një ministër pa pëlqim të Kuvendit, me qëllim sigurimin e zbatimit të politikave të tij nga kabineti qeveritar”, ka thënë ai, teksa i është referuar një neni tjetër të Kushtetutës i cili flet për kompetencat e kryeministrit.

“Procedura e përzgjedhjes së ministrave që vijnë nga komunitetet përmes aprovimit të tyre në Kuvend edhe nga deputetët e komuniteteve joshumicë, sipas nenit 96, është respektuar gjatë votimit të Qeverisë Kurti 2. Pas situatës së shkaktuar me dorëheqjen e z. Rakiq, neni 96 interpretohet në dritë të nenit 94 par.4 mbi kompetencat e kryeministrit”, ka shtuar ai.

Pika 4 e nenit të cilit i është referuar Kryeziu thotë se kryeministri ka kompetencë t’i ndërrojë anëtarët e Qeverisë pa pëlqimin e Kuvendit.

Por ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka deklaruar për KOHËN se emërimi i Kurtit në aspektin kushtetues ka defekte serioze.

“Sepse për emërimin e ministrave dhe zëvendësministrave që nuk janë anëtarë të Parlamentit kërkohet miratimi formal i shumicës së komuniteteve që janë deklaruar se e përfaqësojnë atë komunitet i cili është pakicë në Kosovë. Kjo nuk ka ndodhur, gjë që është gabim. Do të thotë duhet 50+1 e deputetëve serbë që supozohet se e përfaqësojnë këtë komunitet. Përtej kësaj, çdoherë kërkohet konsultimi dhe nuk mund të bëhet pa konsultim me forcat politike të atyre komuniteteve pakicë që thonë se i përfaqësojnë ata ministra ose zëvendësministra që edhe ky nuk është rasti, sepse këtu është demokraci konsociacionale, me ç’rast konsultimi ka karakter konstituiv. Do të thotë, pa konsulta me ato forca politike nuk mund të shkohet tutje dhe nuk mund të bëhet caktimi i ministrave as zëvendësministrave”, ka thënë Hasani.

Lista Serbe: Vendim diktatorial

Vendimin e Kurtit e ka kundërshtuar Lista Serbe, duke e quajtur “autokratik diktatorial, antikushtetues e ilegal”.

“Konkretisht, me këtë emërim, Albin Kurti ka shkelur nenin 96, paragrafin 5 të Kushtetutës, ku thuhet se për emërimin e një ministri nga radhët e popullit serb, i cili nuk është deputet, duhet pëlqimi i shumicës së deputetëve serbë, të cilën Albin Kurti nuk e ka bërë, e as Rashiq nuk e ka mbështetjen e deputetëve tanë”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

Sipas tyre, ky veprim tregon rëndësinë e verifikimit të mandateve të deputetëve të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës.

“Kjo tregon se sa me rëndësi strategjike ishte verifikimi i mandateve të deputetëve të Listës Serbe, dhe moslejimi i disa serbëve të Kurtit që të vendosin për interesat e popullit serb”, thuhet në reagim.

Pas dorëheqjes së deputetëve serbë nga Kuvendi i Kosovës, ata që ishin në radhë e bënë betimin, duke mos i humbur mandatet e fituara nga zgjedhjet e fundit. E, vendimin për Rashiqin, Lista Serbe ka thënë se do ta dërgojë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Sipas profesorit të së drejtës ndërkombëtare, Enver Hasani, rasti mund të fitohet për shkak se Kushtetuta nuk lejon që shumica t’i caktojë ministrat nga komunitetet pakicë.

“Unë jam i bindur që po të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese e fitojnë, sepse është e qartë që natyra e demokracisë në Kosovë është konsociacionale për shkak se po të ishte kështu, që shumica me ia caktu funksionarët dhe përfaqësuesit pakicës, atëherë një pjesë e madhe e dispozitave nuk kish pas nevojë me qenë aty. E keni rastin e njëjtë me emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, po ashtu, të posteve të tjera të larta që janë të rezervuara për ta dhe nuk guxon të shkojë ndryshe”, ka potencuar Hasani.

Rashiqi premton përfaqësim dinjitoz të serbëve

E, Nenad Rashiq në një deklaratë për Radio Kim nuk është marrë me kushtetutshmërinë e vendimit, por ka premtuar se do t’i përfaqësojë denjësisht serbët.

“Ka qenë shumë e nevojshme të kishim një përfaqësues që është një serb autentik i Kosovës dhe që do të punonte sinqerisht për interesa të qytetarëve, në radhë të parë të serbëve dhe komuniteteve të tjera, por jo në dëm të shqiptarëve. Është një detyrë, dhe kjo është të jem ministër më i mirë se ministrat e mëparshëm. Duke marrë parasysh rezultatet e tyre apo më mirë rezultatet e tyre të këqija, puna ime nuk do të jetë e vështirë në kuptimin e të qenit më i mirë se ata”, ka thënë Rashiq.

Ai ka shtuar se pret bashkëpunim dhe mbështetje nga kryeministri Albin Kurti.

“Kemi pasur një takim të gjatë, siç kishim edhe dje, për planet tona dhe se si ai mendon se duhet të jetë bashkëpunimi ynë. Edhe unë kam pasur propozimet e mia. Vetë akti i nënshkrimit për mua do të thotë se do të përpiqemi të bëjmë marrëdhënie të mira, të cilat për shkak të të gjitha këtyre rrethanave që kemi pasur muajt e fundit, sipas meje, janë në pozitë jo të mirë”, është shprehur Rashiq.

Këshilltare të tij, Rashiq do ta ketë kryetaren e Lëvizjes Evropiane të Serbëve të Kosovës, Rada Trajkoviq.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë, Rada Trajkoviq ishte në listën e Iniciativës Qytetare Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë. Lista Serbe ka reaguar edhe ndaj këtij emërimi.

“Sado që Albin Kurti t’u japë pozita, Rada Trajkoviq dhe Nenad Rashiq nuk do ta kenë mbështetjen e popullit serb, sepse në zgjedhje kanë pasur numrin e votave që ka qenë në nivelin e gabimit statistikor dhe politikën e shohin vetëm përmes prizmit të interesit personal. Atë që Kurti e di, dhe Rada Trajkoviq e Nenad Rashiq e dinë, ata kurrë nuk kanë qenë dhe nuk do të jenë përfaqësues të serbëve të Kosovës dhe M.”, thuhet në reagimin e tyre.

Trajkoviqi njihet si kundërshtare e Listës Serbe, të cilën shpesh e ka akuzuar për përfaqësim jodinjitoz të serbëve në Kosovë.