LAJMET E MBRËMJES

Konsumatorëve u mundësohet shkëputja e kontratave me operatorët kabllorë

Me Rregulloren e re, konsumatorëve u mundësohet pa asnjë kosto shtesë shkëputja e kontratave me operatorët kabllorë, shkaku i ndryshimit të njëanshëm të kushteve kontraktuale. Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare e shfuqizoi Rregulloren e vitit 2018, që i obligonte ata t’i kompensonin operatorët në rast të shkëputjes së njëanshme të kontratës, edhe nëse ata i ndryshojnë shërbimet e përcaktuara

Rregullorja e re e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) u jep të drejtë konsumatorëve që t’i shkëpusin kontratat me operatorët kabllorë, pa kosto shtesë, po qe se ndryshojnë kushtet e përcaktuara kontraktuale.

Rregullorja për kontratat, transparencën, publikimin e informatave dhe masave të tjera mbrojtëse për përdoruesit fundorë të shërbimeve të komunikimeve elektronike hyri në fuqi të martën, tek u shfuqizua ajo e 2018-s, që i obligonte konsumatorët t’i kompensonin operatorët ekonomikë në rast të shkëputjes së njëanshme të kontratave.

Sipas ARKEP-it, përdoruesit duhet të njoftohen jo më vonë se 30 ditë para hyrjes në fuqi të ndryshimeve dhe të informohen mbi të drejtën e shkëputjes së kontratës nëse nuk i pranojnë kushtet e reja.

“Përdoruesit fundorë duhet të informohen për të gjitha ndryshimet e propozuara në kushtet kontraktuale jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para hyrjes në fuqi të këtyre ndryshimeve, dhe njëkohësisht duhet të informohen për të drejtën e tyre për të shkëputur kontratën pa ndonjë kosto shtesë nëse ata nuk i pranojnë kushtet e reja. E drejta për shkëputjen e kontratës mund të ushtrohet brenda dy (2) muajve pas njoftimit të tillë. Ofruesit e shërbimeve duhet të sigurojnë që njoftimi të bëhet në mënyrë të qartë dhe të kuptueshme në një medium të qëndrueshëm (sms, e-mail apo përmes adresës postare)”, thuhet në nenin 10, pika 2 të Rregullores së re.

Rregullorja përfshin edhe mundësinë e shkëputjes së kontratës, shkaku i funksionimit të dobët të shërbimit në pakot e kombinuara për internet dhe rrjet kabllor.

“Kur konsumatori ka të drejtën të ndërpresë cilindo element të pakos siç përmendet në paragrafin 1) të këtij neni, përpara përfundimit të afatit detyrues të kontratës për shkak të mungesës së përputhshmërisë me kontratën ose mosofrimit të shërbimit, konsumatori ka të drejtë të ndërpresë kontratën për të gjithë elementet e pakos pas konstatimeve të dhëna sipas paragrafit 3 dhe 4 të këtij neni”, thuhet në nenin 16, pika 2 të rregullores.

Një ditë më parë, të hënën, Ministria e Tregtisë ka njoftuar se ka vendosur t’i obligojë operatorët kabllorë që t’i largojnë kushtet e padrejta në kontratë, duke ua lejuar konsumatorëve të drejtën për shkëputje në rast se operatori nuk i përmbush obligimet kontraktuale.

Sipas saj, detyrimi që u vihet konsumatorëve për të paguar pjesën e mbetur të kontratës edhe nëse ndryshon përmbajtja e shërbimit, është në kundërshtim me ligjin.

Kohëve të fundit ka pasur shumë ankesa të qytetarëve ndaj kabllorëve. Vërejtjet kryesore ishin se kabllorët kanë ndryshuar listën e kanaleve.