LAJMET E MBRËMJES

Konjufca: Plani i Serbisë është që ta shkëpusë veriun nga Kosova

Kuvendi i Kosovës ka mbetur me 110 deputetë, pasi 10 ligjvënësit nga Lista Serbe, të hënën kanë dorëzuar mandatet.

Pas mbledhjes së kryesisë së këtij institucioni, kryetari Glauk Konjufca, ka thënë se deputetët do të zëvendësohen ashtu siç e parasheh Ligji.

“Nëse edhe ata që janë në radhë refuzojnë, atëherë procedura përsëritet deri sa të plotësohen vendet në Kuvendin e Kosovës nga pakica serbe”, tha Konjufca.

Sipas tij, Serbia e ka në plan që ta shkëpusë veriun nga Kosova, por shtoi se nuk do të lejohet një gjë e tillë.

“Serbisë i ka dështuar Plani A, ka kaluar në Planin B. Plani B është të mobilizohen me dorëheqje, me sfidim të Policisë, të autoriteteve të Republikës së Kosovës, që ta fillojnë një proces tjetër që është proces total i shkëputjes nga Republika e Kosovës. Këtë nuk do ta lejojmë”, tha Konjufca.

I pyetur nëse kjo situatë mund ta dërgojë vendin në zgjedhje, Konjufca, ka thënë se nuk do të donte që presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ta bënte këtë në Kosovë.

Por, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se pas dorëzimit të mandateve nga deputetët e Listës Serbe do të krijohet vakum kushtetues.

“Dorëzimi i mandateve nga Lista Serbe është shumë problem, pasi KQZ-ja duhet të trajtojë persona të tjerë që janë në lista, e ata nuk do të pranojnë të marrin mandate, do të vijmë në një situatë kur Kuvendi nuk do t’i ketë 120 deputetë, do të kemi vakum kushtetues ... Ajo që po shohim është se çështja është ndërlikuar shumë dhe ndoshta zgjedhjet do të ishin zgjidhje”, tha Tahiri.

Ai ka thënë se situata në veri duhet të trajtohet më seriozisht, ndërsa për çështjen e Asociacionit të komunave më shumicë serbe, ka thënë se “Qeveria nuk ka nevojë të lëshojë pe e as të marrë pozicion”.

Kryesia e Kuvendit ka vendosur që të shtyjë para agjendën e Kuvendit, duke caktuar dy seanca për të martën. Në njërën do të shqyrtohet shtyrja e afatit të masave emergjente për energji, ndërsa në seancën tjetër do të shqyrtohen në lexim të dytë Projektligji për vendosjen e çmimeve tavan për produktet bazike, ai për mbështetjen e punëve publike dhe Projektligji për noterinë.