Greva e mësimdhënësve ka vazhduar në të gjitha shkollat në kryeqytet, pos shkollës së mesme profesionale “Shtjefën Gjeçovi”, që ka mbajtur mësim edhe të premten. E në Këshillin e Prindërve të Kosovës kanë kërkuar që mësimi të vazhdojë qysh prej javës së ardhshme, duke paralajmëruar se do të bojkotohet zëvendësimi i orëve të humbura gjatë grevës
Dhjetëra mësimdhënës kishin zënë vend të premten në ulëset e nxënësve të tyre. Kolektivi arsimor i shkollës së mesme së mjekësisë “Ali Sokoli”, ani se ishin të pranishëm në shkollë, bojkotuan mësimin dhe nuk pranuan nxënësit ashtu siç kishin vepruar një ditë më parë. Në ditën e dytë të vitit shkollor, edhe kjo shkollë u “dorëzua” para kërkesave të Sindikatës duke iu bashkuar kolegëve të tjerë grevistë.
Më 1 shtator, drejtoria e shkollës kishte thënë se vendimi për ta mbajtur mësimin ishte vullneti i lirë i mësimdhënësve në mënyrë që të mos e pësojnë nxënësit. Por të premten nuk treguan se çfarë i shtyu ta ndërpresin mësimin. Luljeta Shala, përfaqësuese e profesorëve grevistë, ka thënë se vendimi për të hyrë në grevë nuk është shoqëruar me ndonjë presion. Sipas saj, të enjten nuk kanë mbajtur mësim, por ka qenë vetëm një takim mes profesorëve dhe nxënësve, si dhe shpërndarje e orarit.
“Ne kemi qenë të atij vendimi, duke analizuar që gjithsecili prej nesh kemi fëmijë dhe është për të mirën. Ne jemi në dijeni për atë punë, mirëpo duke e parë situatën, u jemi bashkëngjitur edhe kolegëve të tjerë se e shprehim të njëjtën mendim, mirëpo e shprehim edhe një kërkesë që ta gjejmë një zgjidhje bashkëpunimi sa më të shpejtë Qeveri-SBASHK, sepse ne e dimë edhe dobësitë edhe mangësitë, edhe të mirat, se nuk është mirë kështu po situata është e tillë dhe po duhet të bashkëngjitim me kolegët e tjerë”, ka thënë Shala.
Për dallim nga shkollat e tjera në Prishtinë, është shkolla e mesme profesionale “Shtjefën Gjeçovi” që për dy ditë rresht u ka bërë ballë presionit të Sindikalistës dhe ka mbajtur mësim të rregullt. Drejtori i shkollës, Blerim Gërvalla, ka thënë se shumica e mësimdhënësve kanë qenë për ta vazhduar procesin mësimor, përveç kryetarit të shoqatës sindikale, i cili, sipas tij, pavarësisht trysnisë nuk ka arritur t’ua ndryshojë mendjen kolegëve të tij.
“Të gjithë të tjerët kanë diskutuar dhe kanë qenë kundër grevës, do të thotë kanë shprehur atë mllefin e tyre se si është e mundur në këtë kohë, në këtë situatë të krizës ekonomike globale, jo vetëm në Kosovë, krizë energjetike, pastaj me pandeminë kemi humbur dy vjet me fëmijët tanë mësim për shkak të pandemisë dhe të vazhdohet prapë me politizime të tilla arsimi dhe të kërkohet greva dhe humbja e mësimit, ka qenë totalisht e paarsyeshme. Prandaj edhe kemi vendosur në favor të vazhdimit të mësimit. Ne jemi për ngritje të mirëqenies sociale të punëtorëve, konkretisht duke filluar prej meje, mirëpo metoda, koha, momenti ka qenë totalisht jashtë kontekstit”, ka thënë Gërvalla.
Vendimin e mësimdhënësve të tyre e kanë mirëpritur nxënëset e vitit të parë. Xheneta Islami është shprehur e gëzuar që shkolla e saj nuk e ka bojkotuar mësimin.
“Është e vetmja shkollë në kryeqytet që është hapur dhe jam shumë e lumtur. Padrejtësi të mbyllet shkolla dhe të mos u lejohet fëmijëve të shkojnë në shkolla”, ka thënë nxënësja e klasës së dhjetë.
Edhe Donjeta Rexhaj, e cila është takuar për herë të parë me shoqëri dhe mësimdhënës të rinj, ka thënë se është më mirë të jenë në shkollë.
“Shumë mirë është që shkolla jonë nuk është në grevë, veç shkollat e tjera. Për mua shumë mirë që po vazhdon shkolla, më mirë në shkollë”, ka thënë Rexhaj.
Ani se kryeministri Kurti të enjten njoftoi se Ligji për Pagat do të dalë javën e ardhshme në dëgjim publik dhe se kanë rregulluar koeficientin për mësimdhënës, greva ka vazhduar në shkollat e tjera.
Naim Bytyqi, mësimdhënës dhe njëherësh kryetar i shoqatës sindikale në shkollën “Ismail Qemali”, ka thënë se kanë dyshime të mëdha edhe për këtë ligj.
“Koeficienti thotë kryeministri që është i rritur, por ne nuk e dimë vlerën. Atëherë e kemi ditur edhe vlerën. Ka pasur edhe pakënaqësi të disa kategorive, e dërguam në Kushtetuese. Kush na garanton neve që nuk dërgohet në Kushtetuese. Kërkesa jonë për 100 euro derisa të realizohet Ligji për Paga është tepër modeste. Edhe pse nuk jemi juristë, e kemi kuptuar prej brengës dhe situatës së krijuar që edhe po të bëhet menjëherë në shtator, gjysmën e shtatorit ligji, po thuhet se deri në 8 muaj ditë shkon implementimi i tij”, ka thënë Bytyqi.
E kolegia e Bytyqit, mësuesja Festime Sijarina-Luta, ka thënë se asnjëri nga ta nuk është i lumtur me situatën në të cilën ndodhën.
“Në fakt ajo që ne kërkojmë dhe dëshirojmë është që shumë shpejt edhe Qeveria edhe SBASHK-u të ulen dhe të bisedojnë me njëri-tjetrin, të gjejnë një konsensus, një dialog social dhe t’i kthehemi mësimit qysh të hënën”, ka thënë mësuesja e ciklit të ulët.
Të indinjuar me situatën janë shprehur nga Këshilli i Prindërve. Kanë kërkuar nga të dy palët që të reflektojnë deri të dielën, se përndryshe kanë paralajmëruar se do të ndërmarrin masa. Salie Gajtani-Osmankaq ka thënë se është e papranueshme dhe e patolerueshme që nxënësit të dëmtohen dhe mësimdhënësit t’i mbyllin dyert e shkollës.
“Nëse nuk do të ketë vendim për fillimin e procesit mësimor, prej javës së ardhshme do të dalim me hapa të tjerë, e cilët do të jenë ata, një nga ta po e them sot, është që për ne do të jetë e papranueshme që orët e humbura deri më tani, këto dy ditë, të zëvendësohen. Pra ditët e humbura nuk do të zëvendësohen me ditët e shtunë dhe këtë duam t’ua bëjmë të qartë të gjithëve”, ka thënë përfaqësuesja nga Këshilli i Prindërve.
KOHA ka pyetur Qeverinë se përse komunikimi me SBASHK-un po zhvillohet nëpërmjet mediave, por nuk ka marrë përgjigje.
E ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, përmes një postimi në rrjete sociale, ka njoftuar se e ka vizituar të premten shkollën “Qamil Batalli”. Ka thënë se mësimdhënësit i kanë kërkuar bashkëpunim me SBASHK-un.
“I informova se si Ministri vazhdimisht jemi takuar dhe kemi bashkëpunuar me Sindikatën për çështje dhe kërkesa të ndryshme. Po ashtu, çështjet të cilat i kanë adresuar SBASHKU i kemi zgjidhur dhe madje edhe tejkaluar në Projektligjin për Paga. Konsideroj se dinjiteti i mësimdhënësit duhet të rregullohet me ligj dhe pagë të dinjitetshme, andaj këtë e kemi adresuar në Projektligjin për Paga”, ka shkruar Nagavci. “Në Projektligjin e ri tashmë është përmirësuar pozicionimi i punëtorëve të cilët ishin diskriminuar në Ligjin e kaluar. E drejta për grevë dhe mosgrevë është individuale dhe e respektoj megjithatë, theksova se proceset e tilla nuk duhet t'i dëmtojnë fëmijët, të cilët kanë nevojë për arsim cilësor”.
Përveç punëtorëve të arsimit, që nga 25 gushti në grevë janë edhe shërbyesit civilë në shumë institucione lokale dhe qendrore të Kosovës.
Qeverisë po i kërkohen nga 100 euro shtesë për punonjësit e sektorit publik, derisa të miratohet Ligji për Pagat. Sindikata e Arsimit tash e sa muaj kërkon që në Ligjin e Pagave të rritet koeficienti i pagave të mësimdhënësve.