LAJMET E MBRËMJES

Kërkohet shkarkimi i Bordit të ZRRE-së e kthimi i parave për faturat

Reagime të shumta ka pasur të enjten nga opozita, pas vendimit të Gjykatës së Apelit për pezullimin e tarifave të reja për energjinë elektrike. Partitë opozitare, nëpërmjet konferencave dhe nga foltorja e Kuvendit, kanë bërë thirrje për shkarkimin e Bordit të ZRRE-së, si dhe për kthimin te qytetarët të hisesë së parave të paguara me tarifa të shtrenjta

Aktvendimi i Gjykatës së Apelit për pezullimin e vendimit për tarifa të reja të energjisë elektrike, është vlerësuar si fitore e Partisë Demokratike dhe e qytetarëve nga përfaqësuesit e këtij subjekti opozitar.

Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së, ka potencuar se aktvendimi ua ka lehtësuar barrën financiare rreth 450 mijë familje të prekura nga shtrenjtimi i faturave të rritura.

“Të njëjtin vendim, kërkesën për tarifa e kishin mbështetur në forma të ndryshme, jo vetëm Qeveria dhe ZRRE-ja, por edhe presidentja e vendit, edhe Lëvizja Vetëvendosje, edhe ministritë e linjës dhe të gjitha levat e këtij pushteti. E që, ashtu siç kemi thënë, po del që kanë qenë në një rrugë të padrejtë dhe duke mbështetur një vendim të paligjshëm. Neve na vjen mirë që kemi arritur ta lehtësojmë barrën financiare për rreth 450 mijë familje të Kosovës, të cilat ishin dëmtuar nga rritja e tarifave të energjisë”, ka thënë kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Çështja e tarifave është diskutuar edhe në Kuvend. Deputetë opozitarë nga radhët e Lidhjes Demokratike dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kërkuan që Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji të shkarkohet dhe që qytetarëve t’u kthehen paratë e paguara për faturat me rritje.

“Kërkojmë që urgjentisht t’u kthehen qytetarëve mjetet që janë vjedhur... Vjedhur, këta tre muaj. Të rishikohen menjëherë tarifat e energjisë elektrike. Natyrisht, të jenë të ligjshme. Aman! Të shkarkohet Bordi i ZRRE-së dhe të emërohet një bord i ri që kthen ligjshmërinë në këtë institucion tejet të rëndësishëm dhe krejt në fund, por jo për nga rëndësia, të jepet llogari”, ka deklaruar deputeti i LDK-së, Besian Mustafa.

“Tani, çka kemi përpara: kemi një dëm jashtëzakonisht të madh, kemi ndarë 100 milionë euro nga buxheti i Kosovës që ka mundur të shkojë në investime kapitale, përderisa kemi vendosur që qytetarët të paguajnë tarifa me çmime të rrymës për të cilat, cent për cent, do të duhet t’u kthehen qytetarëve”, është shprehur shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

Kërkesë për dorëheqjen e Bordit të ZRRE-së ka adresuar edhe Partia Socialdemokrate. Me anë të një aksioni simbolik në zyrat e saj, PSD-ja ka bërë thirrje për dorëheqjen e Bordit, në bartje të pasojave për shkelje të ligjit.

Apeli ka nxjerrë vendim të enjten, në mbështetje të aktvendimit të Themelores, për pezullimin e tarifave të reja dhe për zbatimin e sërishëm të tarifave të mëhershme më të lira që nga maji.

ZRRE-ja nuk e kishte zbatuar vendimin e Themelores, pasi nuk e kishte konsideruar si të formës së prerë, duke u thirrur në ligjin për konfliktet administrative.