LAJMET E MBRËMJES

Ish-udhëheqësi i Brigadës 162 kundërshton deklaratat që ia ka dhënë Prokurorisë

Kurtaj, që ishte zëvendëskomandant dhe ushtrues detyre i komandantit të Brigadës 162 të Zonës Operative të Nerodimes gjatë luftës së Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e quajti supozim deklarimin e tij para ZPS-së ku pati thënë se udhëheqësi i zonës i raportonte Shtabit të Përgjithshëm. Kurtaj gjatë dëshmisë së tij për disa ditë ka thënë se vazhdimisht i ka zbukuruar e zmadhuar gjërat që i ka shkruar në librin e tij

Dëshmitari Hajrush Kurtaj i ka kundërshtuar të enjten, në shqyrtimin gjyqësor në rastin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve në Dhomat e Specializuara në Hagë, deklaratat e dhëna në Zyrën e Prokurorit të Specializuar kohë më parë.

Kurtaj, që ishte zëvendëskomandant dhe ushtrues detyre i komandantit të Brigadës 162 të Zonës Operative të Nerodimes gjatë luftës së Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e quajti supozim deklarimin e tij para ZPS-së ku pati thënë se udhëheqësi i zonës i raportonte Shtabit të Përgjithshëm.

Anëtari i trupit gjykues, Guénaël Mettraux, e ballafaqoi atë me një deklaratë paraprake në Prokurori.
“Ta thjeshtoj edhe më shumë, në intervistën me ZPS-në, pjesa 2, faqja 14, ju bëjnë pyetje: kujt i raportonte komandanti i Zonës dhe ju keni filluar të përgjigjeni: unë nuk kam qenë komandant zone në fakt, por normalisht i raportonin shefit të Shtabit të Përgjithshëm, por komandanti i zonës nëse keni pasur ndonjë rast ta takoni do t’ua thotë vetë këtë gjë. Pra, i keni thënë ZPS-së se normalisht komandanti i Zonës i raportonte shefit të Shtabit të Përgjithshëm. Ku u bazuat ju për ta thënë këtë në qoftë se nuk ishit në dijeni personale? Mbi ç’bazë e thatë”, pyeti gjyqtari Mettraux.

E dëshmitari u përgjigj se deklarimi i tij paraprak nuk është thënë në bazë të dijenive të tij, por të supozimeve.
“Vetëm mund të ketë qenë një supozim imi që nuk mund ta konfirmoj derisa nuk e di saktë, nuk kam marrë pjesë, nuk mund ta konfirmoj se është ashtu”, ka thënë Kurtaj.
Ashtu si në seancat paraprake, Kurtaj ka deklaruar se nuk ka marrë ndonjë urdhër nga pjesëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq, e pyeti atë lidhur me një telefonatë nga Agim Çeku, ish-komandant i Shtabit të Përgjithshëm.
“Thuhet ‘Në atë thirrje çfarë ju tha ai? Domethënë ishte urdhër që e lëshonte ai apo ishte urdhër i lëshuar nga Shtabi i Përgjithshëm’. Përgjigje: ‘Me siguri urdhër, ishte shef i Shtabit të Përgjithshëm. Nuk e kam pyetur unë në detaje se në çfarë cilësie, por ka qenë shef i Shtabit të Përgjithshëm’. Pyetje: duke marrë parasysh pozicionin që kishte ai, ju e morët që ishte urdhër nga Shtabi i Përgjithshëm? Përgjigje: ‘Po’. Dëshmitar, a ju ndihmon kjo me kujtesën lidhur me bisedën që keni pasur me z. Çeku”, ka pyetur avokati Mishetiq.
Edhe për këtë çështje dëshmitari nuk shprehu siguri, duke u tërhequr nga deklarimi që e ka dhënë paraprakisht në ZPS.
“Thjesht, nuk më kujtohet që ka qenë ndonjë urdhër i veçantë. Ditën që është varrosur komandant Bardhi kemi komunikuar me telefon dhe e kam njoftuar se është bërë varrimi i komandant Bardhit, komandantit Qamil Ilazi. Nuk ka pasur diçka të specifikuar vetëm se ka thënë se duhet ta vazhdojmë luftën deri në fund”, është shprehur Kurtaj.
Lidhur me bisedën telefonike të cilën tha se e pati me Agim Çekun, ai është shprehur se nuk është folur për atë se kush do ta udhëheqë komandën e brigadës pas vdekjes së Qamil Ilazit në luftime. Kurtaj ka thënë se vazhdimisht i ka zbukuruar e zmadhuar gjërat që i ka shkruar në librin e tij.

Në bazë të versionit të aktakuzës së ZPS-së e publikuar në shkurt të vitit 2023, të pandehurit Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, pastaj edhe për tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës së luftës 1998-1999.

Të akuzuarit, sipas ZPS-së, kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm lidhur me krimet që pretendohen të jenë kryer dhe që kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë.

Të akuzuarit, siç pretendohet në aktakuzë, janë përgjegjës personalisht në frikësimin, marrjen në pyetje dhe keqtrajtimin e personave të ndaluar nëpër qendra ndalimi.

Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë thënë se UÇK-ja nuk ka pasur hierarki të tillë që Shtabi i Përgjithshëm të kishte kontroll efektiv mbi komandat e zonave operative dhe mbi komandat lokale, e aq më pak dijeni se cilat janë veprimet të cilat i kryejnë këto komanda.

Hajrush Kurtaj të enjten ka përmbyllur dëshminë në Gjykatën Speciale në Hagë.