LAJMET E MBRËMJES

Hovenier: Draftstatuti konform Kushtetutës, me urgjencë të ecet drejt formimit të Asociacionit

“E kemi thënë shumë herët, duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës, nuk duhet kërkuar ndryshime kushtetuese. Duhet të jetë në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, nuk duhet të ketë pushtet ekzekutiv. Nuk duhet të jetë një shtresë e re qeverisëse. Besojmë se ky draftstatut që i është dhënë Qeverisë së Kosovës i përmbush këto kritere, është në përputhje me këtë. Besojmë se është shkruar në mënyrë që të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Por, është vetëm një entitet që mund ta vendosë nëse është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës apo jo, dhe ajo është Gjykata Kushtetuese”, ka thënë ambasadori Hovenier në një konferencë shtypi në Prishtinë

Qeveria e Kosovës nuk ka arsye që të mos e themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ka thënë ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Në një deklarim për media të enjten, Hovenier ka theksuar se ka urgjencë që të ecet shpejt jo vetëm me formimin e këtij mekanizmi.

“Ka urgjencë, ka dëshirë të shihet të ecet shpejt. Është pjesë e bisedave tona me Qeverinë tash. Nuk ka arsye pse Qeveria e Kosovës të mos ecë para me këtë draftstatut. Ne jemi duke punuar për të parë të bëhet si element i strategjisë sonë më të gjerë. Nuk është vetëm Asociacioni, e as nuk mund të jetë. Duhet të zbatohen të gjitha obligimet e marra nga Kosova dhe Serbia me Marrëveshjen bazë dhe Aneksin e zbatimit në Ohër. Duam të shohim këtë”, ka theksuar ai.

Tek ka folur për draftin e statutit, i cili i është prezantuar Kosovës nga udhëheqësit euro-amerikanë, ambasadori i SHBA-së ka insistuar se dokumenti është konform Kushtetutës së Kosovës dhe ka siguruar se me themelimin e Asociacionit bazuar në këtë draftstatut nuk do të ketë autonomi për serbët përbrenda shtetit.

“E kemi thënë shumë herët, duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës, nuk duhet kërkuar ndryshime kushtetuese. Duhet të jetë në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, nuk duhet të ketë pushtet ekzekutiv. Nuk duhet të jetë një shtresë e re qeverisëse”, ka deklaruar Hovenier.

Ai ka theksuar se i vetmi entitet që mund ta përcaktojë kushtetueshmërinë e dokumentit është Gjykata Kushtetuese.

“Ne besojmë se ky draftstatut që i është dhënë Qeverisë së Kosovës i përmbush këto kritere, është në përputhje me këtë. Besojmë se është shkruar në mënyrë që të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Por, është vetëm një entitet që mund ta vendosë nëse është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës apo jo, dhe ajo është Gjykata Kushtetuese”, ka thënë ai.

Drafti i propozuar nga Bashkimi Evropian (BE) fillimisht i është dorëzuar Kosovës më 21 tetor, në takimin që liderë evropianë patën me kryeministrin Albin Kurti.

Kurti ka bërë të ditur më pas se i ka përcjellë komentet mbi draftin e BE-së, porse përmbajtjen e dokumentit nuk mund ta shpalosë, me kërkesë të ndërkombëtarëve.

Duke folur lidhur me këtë kërkesë, Hovenier ka thënë të enjten publikimi i përmbajtjes së draftstatutit do të bëhet në një kohë të përshtatshme dhe se për këtë vendosin palët e përfshira në dialog dhe emisari evropian, Miroslav Lajçak.

“Nuk ka ndonjë sekret. Por nganjëherë negociatat diplomatike dhe marrëveshjet e ndjeshme nga komuniteti ndërkombëtar dhe Qeverisë shpesh bëhen në kushte të diskrecionit, pasi është më e përshtatshme të arrihet një mirëkuptim i përbashkët për të ecur përpara me avancimin e gjëra”, ka thënë Hovenier.

Ambasadori amerikan është shprehur i habitur me vlerësimet që po i bëhen draftstatutit nga individët që nuk kanë pasur qasje në të.

“Më duhet të them se jam habitur me njerëz që interpretojnë një draftstatut që nuk e kanë parë. Është një truk mjaft impresiv. Në fund të ditës, ata nuk e kanë parë dhe nuk kanë se si të merren me të”, ka thënë ai.

Kryeministri Kurti ka deklaruar se ka pranuar draftin e propozuar nga BE-ja, por javën e shkuar gjatë raportimit në Kuvend ka theksuar se formimin e Asociacionit e pranon veç në një pako me Marrëveshja Bazë të Brukselit dhe me Aneksin e Zbatimit të tij, të dakorduar në Ohër të Maqedonisë Veriore.

“Draftstatuti i propozuar i ka vërejtjet te ndërmjetësi. Unë kam pranuar nënshkrimin e paketës. Po të më thoshin pranoje veç draftstatutin, nuk do ta pranoja. Ata nuk kërkuan prej meje ta pranoj veç draftin, sepse nuk do të mund ta pranoja”, ka deklaruar Kurti më 3 nëntor në Kuvend. Ai e ka shpalosur me këtë rast edhe nevojën për vendosjen e firmave në këto marrëveshje.

“Pa nënshkrim, s’ka pranim. Pa nënshkrim, s’ka garanci për zbatim”, ka thënë ai.