LAJMET E MBRËMJES

Haxhiu: Isufaj e prokurorë të tjerë e dinë se cilët ish-zyrtarë qeveritarë u intervistuan në zyrë

Zyrtarët qeveritarë kanë këmbëngulur se organi i akuzës po aplikon standarde të dyfishta, meqë në të kaluarën ka intervistuar në Qeveri ish-kryeministra, ndërsa tani insiston që kryeministri Kurti të shkojë në Prokurori për të dhënë dëshmi. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka insistuar se rastet i di kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka refuzuar që të bëjë të ditur emrat e ish-kryeministrave, që sipas saj, janë intervistuar në zyrën e tyre nga Prokuroria. Praktika e aplikuar në të kaluarën është përdorur si arsye nga kryeministri Albin Kurti, për të mos shkuar në Prokurori, pas ftesës për intervistë në cilësinë e dëshmitarit.

E, ministrja Haxhiu tha se kryeprokurori i Speciales i di këto raste.

“Nuk mendoj që është në rregull që një përgjigje që duhet ta merrni nga kryeprokurori Blerim Isufaj ta kërkoni nga unë. Blerim Isufaj e di shumë mirë, ndonëse në konferencë tha se nuk kam informacione. Isufaj e di shumë mirë kush nga prokurorët ka shkuar në zyrë të ish-kryeministrave, por nuk flet për këtë”, ka thënë ajo.

Haxhiu tha se përveç kryeprokurorit Isufaj, në dijeni janë edhe disa prokurorë që i kanë intervistuar ish-kryeministrat, në zyrat e tyre.

“Blerim Isufaj e di, ata prokurorë disa prej tyre janë aty, disa jo sepse janë kërcënuar dhe janë detyruar të lëshojnë Kosovën. Por këtë përgjigje ta merrni nga Blerim Isufaj. Ndoshta ne që jemi gjithmonë transparentë nëpër konferenca përgjigjemi, njësoj duhet të veprojë edhe Prokuroria Speciale. Blerim Isufaj ka shumë mirë informacione”, ka thënë  ajo.

Në Prokurorinë Speciale nuk komentuan deklaratën e ministres.

“Lidhur me këtë çështje, është deklaruar kryeprokurori Isufaj më 30 dhjetor 2024 në konferencë për medie, të cilës deklaratë mund t’i referoheni”, thuhet në përgjigje në prokurorisë.

Kryeprokurori Isufaj, në një konferencë për medie, pati thënë se me sa di ai, nuk ka ndodhur që ndonjë kryeministër të jetë intervistuar në zyrën e tij.