LAJMET E MBRËMJES

Hasani-Serbisë: Nuk i çohet ushtri fqinjit te kufiri, NATO-ja garancia e integritetit të Kosovës

Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, ka qëndruar të martën në Kosovë. Nga Prishtina mesazh i është përcjellë Serbisë për veprimet e saj kohëve të fundit, derisa është ofruar mbështetje për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Mesazh Serbisë i ka çuar Shqipëria nga vizita e ministrit të Punëve të Jashtme, Igli Hasanit, në Kosovë.

Hasani pas takimit me ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka bërë thirrje që të ndalet “loja qesharake” e Serbisë.

“Bëjmë thirrje të gjithë aktorëve dhe faktorëve që jetojnë në shekullin 21; nuk i çohen ushtri fqinjit te kufiri, dhe askush s’duhet të vazhdojë me këtë lojë që është qesharake, sepse të gjithë e kemi të qartë që garancia më e madhe për integritetin dhe sovranitetin e Kosovës është NATO, ku edhe Shqipëria është pjesë”, tha Hasani.

Hasani ka kërkuar që përgjegjësit e sulmit të Banjskës të mbahen përgjegjës e të dalin sa më parë para drejtësisë.

Në anën tjetër, Gërvalla ka thënë se mungesa e ndëshkimit të Serbisë bart më vete rrezikun e përsëritjes.

“Kjo është e domosdoshme për të mos lejuar një përshkallëzim të mëtejshëm të situatës me pasoja ndoshta të pakthyeshme”, tha Hasani.

“Na duhet të mbetemi vigjilentë, sepse krimi i organizuar së bashku me strukturat e ardhura nga Serbia, edhe gjatë vitit 2024, do të vazhdojnë të përpiqen të destabilizojnë vendin tonë”, tha Gërvalla.

Kryediplomati shqiptar ka bërë thirrje për zbatim pa vonesa të marrëveshjeve e dakordimeve në kuadër të dialogut me Serbinë. E ministrja Gërvalla ka thënë se lëvizja para në këtë proces tani është në duar të BE-së.

Duke folur për masat ndëshkuese ndaj Kosovës, ajo ka thënë se në lidhje me to ka paqartësi edhe brenda BE-së.

“Asnjë diplomat evropian nuk është në gjendje të japë një vlerësim real se kur konsiderohen kushtet e përmbushura me qëllim që të hiqen masat. Pra, ka konfuzion të madh në mes të diplomatëve evropian se çka konsiderohet shtensionim dhe kur konsiderohen të përmbushura”, tha Gërvalla.

Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, është pritur në takime të ndara edhe nga presidentja Vjosa Osmani e kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Që të dy krerët e shtetit kanë kërkuar mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare e sigurimin e njohjeve të reja.