LAJMET E MBRËMJES

Frikë në Luginë nga shërbimi ushtarak i detyrueshëm në Serbi

Lugina

Ish-ushtaraku Hysen Gecaj e eksperti i sigurisë Armend Halimi kanë paralajmëruar rrezikun nga përcaktimi i Serbisë për ta kthyer shërbimin ushtarak. Sipas tyre, kjo politikë nuk është vetëm provokim, por edhe mënyrë presioni për t’i detyruar shqiptarët të largohen nga trojet e tyre

Planet e Serbisë për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak kanë ngritur shqetësim te shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Ish-ushtaraku Hysen Gecaj e eksperti i sigurisë Armend Halimi kanë paralajmëruar rrezikun nga një lëvizje e tillë.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Gecaj ka thënë se shërbimi i detyrueshëm nuk është vetëm provokim, por edhe një mënyrë presioni për t’i detyruar shqiptarët të largohen nga trojet e tyre.

“Të gjitha veprimet që ndodhin në Serbi dhe që lidhen me institucionet e sigurisë, të cilat po rrisin kapacitetet e tyre, janë në fakt një kërcënim për stabilitetin rajonal. Qytetarët e Luginës me të drejtë shqetësohen, sepse këto lëvizje janë të orientuara kundër ekzistencës së tyre në ato troje”, ka thënë Gecaj, duke shtuar se edhe NATO-ja po i përcjell me vëmendje këto veprime të Serbisë.

Nga ana tjetër, Halimi e vlerëson militarizimin e Serbisë si mjet frikësimi dhe përjashtimi të shqiptarëve nga institucionet shtetërore. Ai e cilësoi këtë si një formë të “spastrimit formal etnik”.

“Serbia tenton të krijojë pasiguri dhe t’i distancojë shqiptarët nga institucionet, njësoj siç ka vepruar më parë me adresat që i shpalli të pavlefshme. Ky është një veprim politik i menduar për t’i përjashtuar shqiptarët nga jeta publike”, u shpreh Halimi.

Ditë më parë, shqetësimet i ka ngritur edhe deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, i cili rikujtoi përvojat e dhimbshme të shqiptarëve në Armatën Popullore të Jugosllavisë (APJ).

“Aktualisht në Serbi janë duke u bërë përgatitjet për futjen në funksion të shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Kjo nismë ngjall frikë te shqiptarët e Luginës për shkak të historisë tragjike dhe diskriminuese në të kaluarën. Kujtesa kolektive ende e mban të gjallë dhimbjen e vdekjeve të 135 të rinjve shqiptarë në radhët e APJ-së gjatë viteve ’80, shumë prej të cilave u regjistruan si ‘vetëvrasje’ apo ‘aksidente’, por u konsideruan të dyshimta nga familjet”, ka shkruar Kamberi.

Ai ka dorëzuar një propozim në parlamentin serb për themelimin e një komisioni të posaçëm, i cili do të hetonte vdekjen e ushtarëve shqiptarë në APJ.