Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Fotoreporteri i KOHËS dokumenton Masakrën e Rogovës me anë të fotografive

E në Prishtinë, në ambientet e Lapidariumit të Muzeut të Kosovës, fotoreporteri Alban Bujari ka hapur ekspozitën ku janë shfaqur fotografi nga Masakra e Rogovës. Bujari ka thënë se çizmet të cilat i kishte mbathur atë ditë, nuk i ka përdorur më, pasi, siç tha ai, ka shkelur në tokën e mbushur me gjak të viktimave.

Në 24-vjetorin e Masakrës së Rogovës së Hasit, fotoreporteri i KOHËS, Alban Bujari, në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës, ka hapur ekspozitën me fotografi të kësaj masakre.

Në ekspozitën e titulluar “Erë gjaku” u shfaqën fotografi të shkrepura atë ditë nga Alban Bujari, i cili ka thënë se me fjalë nuk mund t’i përshkruajë pamjet e rënda që kishte parë.

“Ndjeva që titulli ishte në ajër “erë gjaku” që e kujtoj ende. Nuk ka qenë lehtë as atëherë, as tash. Madje më kujtohet që çizmet që i kam pas mbathur atë ditë, nuk i kam mbathur më kurrë, sepse nuk kam ditur në gjak të kujt kam shkelur”, ka thënë Bujari.

Sadik Krasniqi, shef i sektorit të historisë në Muzeun Kombëtar të Kosovës, ka thënë se kjo ekspozitë dokumenton mizorinë e Serbisë në Kosovë.

“Okupatori gjakatar, barbar, për së vdekuri i masakroi ata, ua këputi gjymtyrët, e çka jo tjetër. Prandaj kjo ditë sot shënohet si ditë e dhimbjes por edhe e krenarisë, si ditë që okupatori serb në vijimësi ka bërë masakra, krime të ndryshme monstruoze në shkallë gjenocidiale”, ka thënë Krasniqi.

E Nehat Islami, veteran i gazetarisë, ka treguar për vështirësitë e raportimit gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Edhe “Erë gjaku” me imazhet tronditëse të Masakrës së Rogovës së Hasit Kulturë “Erë gjaku” me imazhet tronditëse të Masakrës së Rogovës së Hasit

“Albani dhe kolegët e tij, duke mos kursyer jetën e tyre gjendeshin në vendet e krimeve serbe në kohën e duhur, duke u kamufluar shpesh edhe si qytetarë rasti ose si punëtorë humanitarë, por edhe si gazetarë, gjeturia e tyre shpesh ua shpëtoi jetën”, ka thënë Islami.

Ekspozita u përkrah nga Ministria e Kulturës dhe do të qëndrojë e hapur dy javë në ambientet e Lapidariumit të Muzeut Kombëtar të Kosovës.