LAJMET E MBRËMJES

Dita e Evropës, Kosova e vetmja në rajon që s’ka aplikuar për anëtarësim

Shteti i vetëm në rajon që nuk e ka nisur zyrtarisht rrugën drejt Bashkimit Evropian e ka shënuar Ditën e Evropës me aktivitet kryesor: mbylljen e përkohshme të të dy rrugëve në kryeqytet dhe vënien e tyre në dispozicion për këmbësorët.

Nga ora 9 deri në 17 pasdite, në rrugën “George Bush” dhe atë “Garibaldi” deri te semaforët afër Bankës Qendrore, biçikletat e trotinetet elektrike zëvendësuan automjetet. Me trotinetet elektrike u pa edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ndërsa me biçikletë shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szuynog.

Kryetari i Prishtinës paralajmëroi aktivitete të kësaj natyre secilin vikend.

“E shihni edhe vetë që hapësirat janë fantastike, është një eksperiencë shumë e mirë. Edhe ditëve me radhë, tash duke iu afruar qershorit, çdo vikend do të kemi iniciativa të ndryshme, ku tregojmë se qyteti ynë është shumë më i mirë, përjetimi i kryeqytetit tonë do të jetë më pozitiv kur prioritet e kemi këmbësorin, prioritet i kemi hapësirat e gjelbra dhe jo asfaltin e veturat”, tha Rama.

Në Kosovë, 9 Maji është ditë pushimi, ndryshe nga vendet e BE-së që punojnë në këtë ditë feste. Shteti ka shumë punë, përpara anëtarësimit në BE. Është vendi i vetëm i rajonit që akoma nuk ka aplikuar për anëtarësim në Bllok.

Ambasadori Szuynog tha se edhe Kosova ka të ardhme evropiane.

“Besojmë që Ballkani Perëndimor ka një të ardhme të qartë në BE. Po punojmë që ta rreshtojmë Kosovën sa më shumë që është e mundur me standardet dhe normat evropiane. Ne nuk duam që Bashkimin Evropian ta paraqesim vetëm si entitet politik, por edhe si një entitet që ofron të ardhme të qëndrueshme”, tha Szunyog.

Dita e Evropës u shënua edhe me një numër të madh aktivitetesh të tjera.

Ndërkaq përfaqësues shtetërorë shprehën zotimin për të punuar drejt anëtarësimit të Kosovës në BE.

Në këtë përvjetor të Ditës së Evropës, presidentja Osmani ritheksoi solidaritetin me Ukrainën.

Grafikë: Vjosa Osmani, presidente e Kosovës

“Për popullin e Kosovës, vlerat evropiane janë më shumë se fjalë, janë mënyrë jetese. Në këtë ditë mendojmë edhe për njerëzit e Ukrainës që vazhdojnë të përballen me ferrin përballë agresionit të paprovokuar rus. Kosova qëndron fort në anën e një Evrope të tërë, të lirë dhe në paqe”.

E kryeministri Albin Kurti iu referua zhvillimeve në Ukrainë, për të arsyetuar nevojën që rruga drejt BE-së duhet përshpejtuar.

“Pikërisht në këtë ditë duhet të zotohemi për të mbrojtur e përshpejtuar projektin e Bashkimit Evropian duke integruar Kosovën, gjithë Ballkanin Perëndimor dhe të gjitha shtetet evropiane paqedashëse, të cilat përqafojnë vlerat tona të përbashkëta, duke përfshirë Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Moldavinë”, tha Kurti.

Dita e Evropës shënon shpalosjen e idesë së ministrit të Jashtëm francez, Robert Schuman, të bërë më 1950, lidhur me ndërtimin e një bashkëpunimi politik në Evropë. Propozimi i tij konsiderohet të jetë fillimi i Bashkimit Evropian, që njohim sot.