Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Dëshmitari thotë se familjet e viktimave kanë heshtur me vite për shkak të frikës

Në seancën e mbyllur për publikun, në rastin e ish-eprorit të UÇK-së, Salih Mustafa, një dëshmitar ka rrëfyer për vrasjen e një familjari të tij gjatë luftës, duke thënë se deri tani ka heshtur për shkak të frikës. Para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara në Hagë ka folur edhe mbrojtësja e viktimave, e cila ka kërkuar që të angazhohet një ekspert për vlerësimin e dëmit material të viktimave

Në seancën e radhës ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, ka dëshmuar një person para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Për të ruajtur identitetin e tij, seanca u zhvillua e hapur vetëm për disa minuta, ku viktima ndau një pjesë të dëshmisë së tij për publikun. Ai ka dëshmuar për vrasjen e një familjarit të tij gjatë luftës.

Dëshmitari ka thënë para trupit gjykues se ka heshtur deri tani për shkak se nuk është ndier i sigurt. Ndërsa ka shtuar se ka shumë familje që ndajnë të njëjtin shqetësim.

“Si viktimë pjesëmarrëse në këtë gjykim e pata rastin me fol shumë për familjen time. Kemi heshtur për këto vite prej frikës, mirëpo ne e dimë, nuk jemi të vetëm që kemi vuajt. Shumë familje kanë humbur anëtarët e familjes, e kanë anëtarë të familjes së zhdukur. Ne vetëm eventualisht kemi gjetur viktimën dhe kemi mundur me varros si një anëtar i dashur i familjes. Po mundem me imagjinu se sa zor është”, u shpreh viktima, i cili është njëri ndër 17 dëshmitarët që do të dëshmojë kundër Salih Mustafës.

Mbrojtësja e viktimave, avokatja Anni Pues, ka bërë të ditur se do të kërkojë caktimin e një eksperti për vlerësimin e dëmit material të viktimave.

Edhe Dëshmitari: Mosparaqitja para drejtësisë e personave që kryen krime më ka shkaktuar stres Arbëri Dëshmitari: Mosparaqitja para drejtësisë e personave që kryen krime më ka shkaktuar stres

“Ne kemi kërkuar edhe më parë caktimin e një eksperti mjekësor për të bërë vlerësimin e dëmit fizik dhe psikologjik që kanë pësuar viktimat e drejtpërdrejta dhe në urdhrin e lëshuar gojarisht më 9 mars 2020, trupi gjykues ka përcaktuar një ekspert. Ky urdhër do të zbatohet në muajt në vijim”, u shpreh ajo.

“Sa i takon dëmit material do t’i kërkojmë trupit gjykues caktimin e një eksperti për llogaritjen e dëmit material, të gjitha viktimat e drejtpërdrejta kanë pësuar dëm material, ne duhet të mendojmë humbjen e aftësisë për të punuar dhe ndikimet që kanë lënë dëmet psikologjike dhe fizike në të ardhurat e tyre, si dhe në zhvillimin profesional, normalisht një vendim i gjykatës do të pasqyronte shumën e plotë të llogaritur të dëmit material dhe kjo është arsyeja pse ne besojmë se duhet të caktohet një ekspert për të llogaritur një dëm faktit, në veçanti në kontekstin shumë kompleks të pasluftës”, tha tutje ajo.

Avokatja Pues pati një kërkesë për Qeverinë e Kosovës. Ajo kërkoi që ekzekutivi kosovar t’ua lejojë viktimave që të përmbushin pretendimet e tyre për zhdëmtim.

“Ne shpresojmë që Qeveria të mund të heqë çdo ambiguitet, çdo dyshim dhe të sigurojë një qasje konstruktive që do t’u lejojë viktimave që të mund të përmbushin pretendimet e tyre për zhdëmtim”.

Më herët, trupi gjykues i Hagës ka vendosur të mos i referojë viktimat në procese civile përpara gjykatave në Kosovë sa i takon çështjes së zhdëmtimit, për të ruajtur identitetin e viktimave.

Seanca ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së do të vazhdojë edhe në tri ditët e ardhshme. Gjatë së martës mbrojtja e Salih Mustafës do të paraqesë deklaratën hyrëse para trupit gjykues në Hagë.

Edhe Vdiq babai i Salih Mustafës, OVL-UÇK kritikon Specialen që s’ia lejoi vizitën Arbëri Vdiq babai i Salih Mustafës, OVL-UÇK kritikon Specialen që s’ia lejoi vizitën

Mustafa është arrestuar më 24 shtator të vitit të kaluar. Mbi të rëndojnë akuza për krime lufte. Ish-pjesëtari i UÇK-së është deklaruar i pafajshëm para trupit gjykues.

Në Gjykatën Speciale apo siç quhet zyrtarisht, Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, po akuzohen për krime lufte edhe ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.