Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar gjykimi ndaj 12 komandantëve të UÇK-së në rastin e njohur si “Veteranët”. Në seancën e së martës ka dëshmuar dëshmitari Maliq Ndrecaj, të cilin prokurori special Dren Paca e ka ballafaquar me një nënshkrim pranues të tij në një aplikacion për veteran, ku data e shërbimit ishte mars-shtator 1988
Në rastin e njohur si “Veteranët”, ku 12 komandantë akuzohen për fryrjen e listës së veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prokurori special, Dren Paca, e ka ballafaquar dëshmitarin Maliq Ndreca me një aplikacion nga një veteran, në të cilin koha e shërbimit në luftë është e shënuar gjatë vitit 1988.
Dëshmitari Ndreca ka qenë komandant i brigadës 132 “Myrt Zeneli” në Zonën e Dukagjinit.
“Si arsyetohet periudha e angazhimit e tij në UÇK, ku thuhet se është 12.3.1988 dhe 17.9.1988”, ka pyetur prokurori Paca.
“Ka mundësi të jetë ndonjë gabim i tij personal”, është përgjigjur dëshmitari.
Ndrecaj ka thënë se me nënshkrimin e tij nënkuptohej se aplikimi është pranuar dhe i është dërguar komisionit qeveritar.
Prokurori e ka ballafaquar dëshmitarin edhe me një aplikacion ku zona operative e shënuar ishte Kumanovë, mirëpo Ndrecaj ka thënë që edhe ky ka mundur të jetë gabim.
“Ka raste që e kanë shkruar gabimisht, kam qenë në Kumanovë apo diku tjetër. Unë personalisht nuk e kam shënuar për angazhimin në luftën e Maqedonisë, ndonëse kam marrë pjesë”, ka thënë dëshmitari.
Në këtë proces të akuzuar janë: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.
Një ditë më parë në këtë rast penal dëshmoi ish-deputeti Daut Haradinaj.
Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë thuhet se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të buxhetit të Republikës së Kosovës.
Ata akuzohen se kanë dëmtuar buxhetin e vendit për dhjetëra miliona euro.
Komandantët e akuzuar në vitin 2021 ishin shpallur të pafajshëm për këtë rast. Mirëpo Gjykata e Apelit e ka kthyer çështjen në rigjykim.