LAJMET E MBRËMJES

Deputetët kritikuan menaxhmentin e RTK-së për rritjen e pagave e për rënien e të hyrave nga marketingu

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka vazhduar shqyrtimin e Raportit vjetor Financiar të Radio Televizionit të Kosovës për vitin 2022. Deputetë të pozitës e opozitës kanë kërkuar llogari nga bordi dhe drejtori i RTK-së për rënien e të hyrave të marketingut e investimeve kapitale. Po ashtu u diskutua për gjobat e mëdha të inspektoratit të punës e për rritjen e rrogave të punëtorëve

Për rënien e të hyrave të marketingut, rënien e investime kapitale, borxhet e pakonfirmuara e rritje të shpenzimeve për paga në Radio-Televizionin e Kosovës ka diskutuar të mërkurën Komisioni parlamentar për Buxhet gjatë shqyrtimit të raportit vjetor financiar të këtij institucioni publik për vitin 2022.

Armend Muja, kryetar i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, kërkoi llogari për rezultatet jo të kënaqshme në zyrën e marketingut e prokurimit, ndonëse sipas tij, ka pasur rritje të numrit të punëtorëve në këto departamente. Ai tha se 84 për qind e shpenzimeve të RTK-së destinohen për paga të punëtorëve.

“Se gjithmonë po thuhet se nuk kemi para, kuvendi s’po jap pare. Jo. Kuvendi pak a shumë në dhjetë vitet e fundit i alokon mjetet e njëjta. Unë besoj se mënyra se si i keni shpenzuar mjetet është kjo”, theksoi Muja.

Drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, për rënien e të hyrave nga marketingu e fajëson rritjen e konkurrencës. Ai mohoi të ketë rritje të pagave.

“Fillimisht vitin e kaluar nuk ka pasur rritje ta pagave në RTK. Si më është shpjeguar nga zyra e financave është se ne nga viti i kaluar kemi filluar me ndryshuar formën e raportimit me kërkesë të këtij komisioni. Ku tash raportimi bëhet në baza kesh dhe jo akroale. Ne kemi filluar që shujtën për secilin punëtor ta llogarisim si pagë, pra në kategorinë e pagave. Kjo i bie që janë rreth 50 euro që llogariten si pagë, të cilat në të kaluarën i kanë marrë si zë të veçantë buxhetor”, tha ai.

E deputetët e opozitës ngritën shqetësimin për gjobat e mëdha të Inspektoratit të Punës e për strategjinë për reformim të televizionit publik.

“Keni mbi 18 mijë euro dënime nga inspektorati i punës. Ky për mua është një dështim total në menaxhimin e drejtë dhe juridik të institucionit të RTK-së... kush do të jap llogari në këtë pjesë dhe po shihet qartë se, ja nuk dini, ja nuk doni me ditë”, tha deputeti i PDK-së Mërgim Lushtaku.

Deputeti tjetër i PDK-së Ferat Shala, pyeti se saj janë duke u respektuar rregulloret e RTK-së e Ligji i punës. “A keni strategji? Cilat janë pritjet tuaja? A keni dokument zyrtar?... reforma ka kosto. Sa është kosto? a keni planifikuar kosto të kësaj reforme?”, tha Shala.

Kryetari dhe drejtori i bordit të RTK-së lavdëruan punën e tyre në përmirësim të kushteve të punës dhe menaxhimin e mirë të institucionit.