Drejtori i përgjithshëm RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, është pyetur për rënien e të hyrave nga marketingu në vitin 2022.
Deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja, njëherit kryetar i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, e ka pyetur Ahmetxhekajn, se si ka ndodhur që kanë rënë të hyrat e marketingut e është rritur numri i punëtorëve.
“Sa i përket të hyrave, në kategorinë e marketingut të RTK-së vitin e fundit ka pasur një rënie drastike të të hyrave të marketingut. Keni shkarkuar drejtorin e marketingut dhe kjo nuk ka ndryshuar. Çka ka ndodhur. I keni raportuar 776 punëtorë në vitin 2022 jeni nga organizatat më të mëdha me punëtorë, në vit janë 8.1 milionë euro shpenzime në paga. Rroga mesatar në RTK është rritur”, ka pyetur Muja. “A keni vlerësuar pse ka pasur rënie të të hyrave të marketingut? Ka humbje rreth 2 milionë euro. Raporti po thotë se i keni punësuar edhe dy persona tjerë. Të hyrat e marketingut po vazhdojnë të bijnë, ndërsa numri i të punësuarve po rritet”.
E Ahmetxhekaj, tha se numri i të hyrave nga marketingu ka rënë për shkak të konkurrencës së numrit të madh të televizioneve dhe portaleve. Sa i përket rritjes së pagave ai tha se nuk janë rritur, por shujtat që iu janë dhënë me herët tash llogariten në paga.
“Gjatë kësaj periudhe është rritur konkurrenca në vend, dhe nuk mund të bëhet ky krahasim. Mendoj që të dhënat qe po i referoni ka të bëjë me ndarjen kesh dhe me kompensim. Qe nëse i shikoni me detaje më shumë ka pasur me kompensim sesa kesh. Nuk është përformanca e dobët sa i përket mbledhjes së të hyrave”, tha Ahmetxhekaj, në shqyrtimin e Raportit vjetor Financiar të RTK-së për vitin 2022.
Ndërkohë deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka akuzuar RTK-në se nuk po i kushton mjaftueshëm hapësirë gjykimit në Hagë të ish-krerëve të UÇK-së, por po merret më tepër me Qeverinë e Presidencës.
Besnik Boletini, kryetar i Bordit të RTK tha se si televizion nuk i japin përkrahje Qeverisë e Presidencës, por i mbulojnë ngjarjet që organizohen nga ta. Sipas tij, deri me tani nuk është evidentuar një gjë e tillë. Drejtor i Përgjithshëm i RTK-së Shkumbin Ahmetxhekaj, tha se si televizion i japin hapësirë të mjaftueshme gjykimit të luftëtarëve të UÇK-së të cilët janë duke u gjykuar në Hagë.
E deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka kërkuar nga udhëheqësit e RTK-së që prej një afati prej 10 ditësh të dërgojnë me shkrim planin se si do të bëhen reformat që kanë nisur dhe cilat janë pritjet.