Për pasojë, një automjet i Policisë është dëmtuar nga plumbat e shkrepur teksa është goditur edhe një furgon, i cili ka qenë i parkuar në hapësirat afër një biznesi në magjistralen Prishtinë-Ferizaj. Faton Pllana, drejtori i Policisë për Rajonin e Ferizajt, ka thënë se gjatë këtij ballafaqimi nuk ka pasur policë të lënduar. KOHA ka mësuar se plumbat ndaj patrullës policore janë shkrepur nga një veturë karavan, me ngjyrë të zezë
Policia e Kosovës ka parandaluar mëngjesin e së premtes grabitjen në tri bankomate në Ferizaj nga disa persona të dyshuar, të cilët më pas kanë shtënë me kallashnikovë në drejtim të pjesëtarëve të patrullës policore.
Për pasojë, një automjet i Policisë është dëmtuar nga plumbat e shkrepur teksa është goditur edhe një furgon, i cili ka qenë i parkuar në hapësirat afër një biznesi në magjistralen Prishtinë-Ferizaj.
Faton Pllana, drejtori i Policisë për Rajonin e Ferizajt, ka thënë se gjatë këtij ballafaqimi nuk ka pasur policë të lënduar. KOHA ka mësuar se plumbat ndaj patrullës policore janë shkrepur nga një veturë karavan, me ngjyrë të zezë.
“Nuk ka policë të lënduar fatmirësisht. Pas të shtënave nga të dyshuarit në drejtim të zyrtarëve policorë, ekipi patrullues u janë përgjigjur. Dyshohet se janë armë të gjata, pas ekzaminimit që kanë kryer hetuesit në vendin e ngjarjes. Gjatë ditës do të ketë edhe detaje të tjera”, ka thënë Pllana.
Në një komunikatë për media, nga Policia janë shpalosur hollësitë e rastit.
“Patrulla e policisë, me të arritur në vendin e ngjarjes, të dyshuarit kanë filluar të shtënë me armë zjarri në drejtim të veturës së policisë, duke dëmtuar në masë të madhe veturën zyrtare, mirëpo dy policët që ishin në veturë nuk kanë pësuar ndonjë lëndim trupor, ndërsa në shkëmbim të armëve të zjarrit i janë përgjigjur edhe zyrtarët policorë dhe të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë karavan, ngjyrë e zezë, në drejtim të panjohur dhe në veturë dyshohet se ishin 4 persona me armë të gjata”, është thënë në komunikatën e Policisë.
Shukri Jashari, kryeprokurori i Prokurorisë në Ferizaj, ka bërë të ditur se janë identifikuar disa persona si të dyshuar lidhur me sulmin.
“Vlen të theksohet se kemi disa persona të dyshuar. Jemi duke i marrë të gjitha kamerat e sigurisë, dhe nesër e pasnesër do të merremi me hetime. Shumë shpejt do të dilet me detaje të reja”, ka thënë ai.
Sulmi ndaj policisë ka nxitur zemërim te qytetarët. Disa prej tyre e kanë kualifikuar si të papranueshëm sulmin ndaj Policisë së Kosovës.
“Nuk është aspak mirë, sidomos për Policinë që ka dhënë shembull në Mitrovicë. Këto grabitje e gjëra të tjera që po ndodhin në vendin tonë, në shtet tonin, janë tmerr”, ka thënë një qytetar.
“Kjo është e ulët, shumë keq. Kanë marrë përkrahje nga dikush, nuk po i dënojnë, pa kulturë”, ka theksuar një tjetër qytetar, banor i zonës afër vendit të ngjarjes.
Sipas komunikatës së Policisë, në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit dhe krimteknikët rajonalë, të cilët, nën autorizimin e prokurorit kujdestar, i kanë nisur hetimet.