Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka raportuar në Komisionin për Punë të Jashtme të enjten. Dy ditë, pas takimit në Bruksel, ai ka prezantuar para deputetëve pesë kushtet që duhet të respektohen për t’u formuar Asociacioni. Raportimi i Bislimit nuk kaloi pa përplasje me deputetët opozitarë
Kosova ka vënë pesë kushte, në bazë të të cilave do të vlerësojë pranueshmërinë e statutit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ka thënë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.
Ai gjatë raportimit të enjten, në Komisionin për Punë të Jashtme, ka thënë se këto shërbejnë si siguresa se nuk do të jetë, siç tha ai, “Zajednicë” dhe se ato, sipas tij, janë pranuar nga Bashkimi Evropian.
“E para është a parasheh ky draft një shtresë të re të qeverisjes, nëse parasheh shtresë të re të qeverisjes nuk konsiderohet si i pranueshëm për diskutim të mëtejmë. Dy, a propozon të drejta kolektive, nëse po e merr epitetin e një drafti të papranueshëm. Tre, në ç’masë është në harmoni me marrëveshjet e 2015-s dhe 2013-s. Katër, në ç’masë është në harmoni me vendimin e Kushtetueses së vitit 2015 dhe pesë në ç’masë është në harmoni me letrën që Mogherini i ka dërguar Qeverisë së Kosovës, ku i tregon çfarë kompetenca mund të jetë e çfarë jo Asociacioni për implementim”, ka thënë Bislimi.
Në takimin e radhës ndërmjet kryeministrit Albin Kurti e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, palët do të diskutojnë për draft-statutin që do të dorëzohet nga ekipi menaxhues që e ka hartuar.
Raportimi i Bislimit në komision është përcjellë me përplasje verbale ndërmjet tij e deputetes së PDK-së, Ariana Shoshi. Pas pyetjeve që shtronte, Shoshi ndërhynte gjatë përgjigjeve të Bislimit dhe kjo nxiti edhe reagimin e kryetares së Komisionit, Arbëresha Kryeziu.
Bislimi: “S`kam nevojë për informata shtesë...
Kryeziu: Do të ishte mirë që ta dëgjojmë zv.kryeministrin
Bislimi: Nëse ju bënë atraktive për mediat e keni gabim, ju bënë jo serioze
Debat me deputetët opozitarë ka nxitur edhe çështja e fusnotës, e për të cilën Bislimi tha se do të hiqet me zbatimin e marrëveshjes së dakorduar në Bruksel më 27 mars.
“A mund të më tregoni se si po e interpretoni ju sot në këtë marrëveshje me një preambulë që flet pa paragjykim të shtetit tjetër që të ka në Kushtetutën e saj për statusin tënd si progres karshi asteriskut”, ka thënë deputetja e LDK-së, Doarsa Kica.
“Është interpretimi i vetëm që kam dëgjuar deri më sot që thotë se asterisku paska qenë mirë për Kosovën, heqja e asteriskut qenka keq për Kosovën”, ka thënë Bislimi.
Fusnota e insistimi i deputetes së PDK-së që ta marrë fjalën, shkaktoi sërish diskutime me Bislimin.
E derisa kryetarja e Komisionit, Arbëresha Kryeziu, planifikoi që raportimin e Bislimit ta përmbyllë me replikën e deputetes Shoshi, pyetje shtesë tha se kishte edhe deputetja Kica, por që zv.kryeministri Bislimi u largua nga salla.
Me largimin e Bislimit nga mbledhja, ku duhej të arrihej dakordimi për një vizitë jashtë vendit, nuk qëndruan as deputetet e PDK-së e LDK-së.