Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi paralajmëroi se në gjysmën e muajit të ardhshëm Kosova do ta deponojë aplikacionin për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian.
Gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Integrim Evropian, ai tha se data e saktë do të dihet pasi të merret një konfirmim nga kryesuesja e Këshillit të BE-së.
“Ne kemi një datë, por për aq kohë sa kjo nuk është e konfirmuar në plotni me Presidencën Çeke nuk do ta bëjmë publike, por është te mesi i muajit dhjetor”, ka theksuar ai.
Bislimi u paraqit para deputetëve për të raportuar për raportin për Kosovën të publikuar nga Komisioni Evropian, por përplasjet me opozitën u bënë për dialogun Kosovë-Serbi dhe për situatën në veri.
“Ne kemi zero funksionim të institucioneve në atë pjesë e natyrisht këtë e keni bërë brenda një viti përmes veprimeve tuaja, të cilat kanë qenë të pamatura sepse konsideroj që dëmi nuk është dëm i vogël... veriu nuk është i njëjti, siç ka qenë 2-3 muaj më parë”, ka theksuar deputetja e PDK-së, Blerta Deliu.
Por kjo qasjë është kritikuar nga Bislimi.
“Nëse më thirrni këtu në seancë, në raportim për procesin e dialogut unë ju tregoj për të gjitha arritjet tuaja në veri në sundimin e ligjit, kontrabandën, laboratorët e drogës, rrugët ilegale, përdorimin e dinarit, zgjedhjet e Serbisë në veri, mospagimin e rrymës, mospagesën e tatimit, mospagesën e ujit, targat e Millosheviqit dhe të gjitha arritjet tuaja i numëroj”, ka theksuar Bislimi.
Për çështjen e braktisjes së institucioneve nga serbët u polemizua edhe mes deputetëve.
“Nuk është faj as përgjegjësi e jona pse ata nuk janë këtu dhe nuk besoj që do të duhej të ishte shqetësim për ne fakti që ata nuk janë”, ka theksuar deputetja e Vetevendosjes, Arbëresha Kryeziu.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, e ka quajtur Kryeziun, zëdhënëse të Qeverisë.
“Më vjen mirë që znj. Arbëreshë përherë është zëdhënëse e Qeverisë. Nuk ka nevojë këtu ta bëjë zëdhënësen e z. Bislimit, i cili është i obliguar t’i raportojë këtij komisioni dhe t’u raportoj deputetëve, tash kush do të ndihet i turpëruar mendoj që koha do ta dëshmojë”., ka theksuar Deliu.
Gjatë raportimit zëvendëskryeministri Bislimi prezantoi edhe gjetjet e Raportit të Komisionit Evropian. Sipas tij, vlerësimi i BE-së në këtë dokument është më i miri i bërë ndonjëherë për Kosovën e meritat për këtë ia atribuoi Qeverisë.
-
Nga: Valbona Bytyqi
-
30 nëntor 2022 20:44
-
Shpërndaje në: