LAJMET E MBRËMJES

BE-ja: Marrëveshjet janë ligjërisht obliguese për të dyja palët

Një ditë pas letrës së hartuar nga Serbia, që konfirmon se ajo nuk e ka ndërmend t’i zbatojë Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, Bashkimi Evropian e shprehu qëndrimin se të gjitha dakordimet janë obliguese për palët. Karshi këtij qëndrimi të Serbisë, njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare e kanë theksuar nevojën që BE-ja të ndryshojë qasjen në raport me Serbinë

Bashkimi Evropian ka shprehur qëndrimin se Serbia është ligjërisht e obliguar t’i zbatojë Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, një ditë pasi kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, konfirmoi me shkrim se shteti i saj nuk e ka ndërmend që t’i zbatojë.

Këtë qëndrim Bërnabiqi e shprehu në emër të Serbisë, si rezervë ndaj deklaratës së miratuar në Samitin e liderëve të BE-së dhe atyre të Ballkanit Perëndimor në Bruksel.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një përgjigje për KOHËN, theksoi se natyra obliguese e dakordimit të marrëveshjeve ka qenë qëndrim konsistent i bllokut.

“Bashkimi Evropian rithekson se Marrëveshja është e detyrueshme në tërësinë e saj për të dyja palët. Zbatimi i tij do të jetë pjesë integrale e rrugës së tyre përkatëse evropiane. Marrëveshja bashkë me Aneksin e saj të zbatimit është bërë ligjërisht e detyrueshme nëpërmjet deklaratës me shkrim të përfaqësuesit të lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, të datës 18 mars 2023. Ky ka qenë qëndrimi konsistent i BE-së, i cili gjithashtu është komunikuar publikisht në disa raste”, ka deklaruar Stano.

Njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare kanë shprehur mendimin se BE-ja duhet që të ndryshojë qëndrim karshi Serbisë, pas rezervës që ka shprehur Bërnabiqi për zbatimin e marrëveshjeve.

Profesori Arben Fetoshi ka thënë se me këtë qëndrim Serbia ka sfiduar pesëshen evropiane që insiston në zbatimin e marrëveshjeve të dala nga dialogu.

“Letrën e shoh si sfidim serioz të pozicionit dhe qasjes së Perëndimit në raport me problemin e fundit të pazgjidhur të Ballkanit Perëndimor që ka të bëjë me raportet mes Kosovës dhe Serbisë, që detyrimisht do të duhej të përcillej me ndryshim radikal të qasjes nga ana e BE-së dhe SHBA-së në kuptim të përdorimit të instrumenteve që Serbia të mos lejohet edhe më tutje në mënyrë komode të vazhdojë këtë qasje sfiduese ndaj Perëndimit dhe qasjen agresive ndaj Kosovës”, është shprehur Fetoshi.

E profesori Aidan Hehir ka theksuar se Bashkimi Evropian duhet të pranojë që Serbia ka vendosur parakushte të papranueshme për negociatat.

“Ka ardhur pa dyshim koha që BE-ja të rivlerësojë strategjinë e saj dhe të pranojë se mbështetja e saj për Serbinë dhe sanksionimi i Kosovës ka dështuar në mënyrë spektakolare dhe duhet të kthehet shpejt”, ka thënë Hehir.

Por në BE nuk iu përgjigjën pyetjeve lidhur me veprimet që mund të ndërmerren ndaj Serbisë.

Tek shprehu rezerva ndaj deklaratës së miratuar të samitit, kryeministrja Bërnabiq theksoi se pranimi i këtij teksti nuk e nënkupton edhe pranimin de facto apo de jure të pavarësisë së Kosovës.

Arben Fetoshi teksa përmendi “qasjen ledhatuese” të BE-së ndaj Serbisë” ka thënë se veprimi i fundit i shtetit serb shkon në kundërshtim direkt me interesin strategjik të BE-së, sepse bëhet fjalë për sigurinë e jo për proceset integruese evropiane.

“Përveç kushtëzimit të bërë që zbatimi i Marrëveshjes të arritur në Bruksel e Aneksit të saj të dakorduar me Ohër të përfshihet në kapitullin 35, BE-ja duhet të përdorë instrumente të tjera, të cilat mund ta shtrëngojnë Serbinë që ta rishikojë këtë pozicion dhe që të detyrohet ta pranojë realitetin”.

Deklarata e regjimit në Serbi, sipas Aidan Hehir, konfirmon se qëndrimi i saj për Kosovën nuk ka ndryshuar.

“Nuk mund të pritet që Kosova të angazhohet në negociata kur çdo lëvizje për njohje apo anëtarësim në organizata ndërkombëtare është përjashtuar në mënyrë kaq eksplicite nga Beogradi”.

Në Deklaratën e miratuar të mërkurën në Bruksel nga liderët e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor u bëhet thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë pa parakushte dhe në tërësi këtë marrëveshje.

“U bëjmë ftesë të dyja palëve që në tërësi të zbatojnë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe aneksin e saj, si dhe të gjitha marrëveshjet nga e kaluara, pa asnjë vonesë të re dhe pa parakushte”, thuhet në pjesën që u kushtohet raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kosova dhe Serbia pasi pranuan propozimin franko-gjerman, në shkurt të këtij vitit u pajtuan për zbatimin e tij që mori formën e një marrëveshjeje mes tyre, të njohur më pas si Marrëveshja e Brukselit apo Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit të Raporteve me Kosovën. Me ndërmjetësimin e BE-së, që të dyja palët u pajtuan për aneks-zbatimin e saj.