Në Shkup është mbajtur të martën takimi i liderëve të rajonit me Komisioneren për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Marta Kos, ku është diskutuar për Planin e Rritjes. Për dallim nga vendet e tjera e shkaku i moskonstituimit të Kuvendit, Kosovës ende nuk i janë ndarë mjetet financiare. Nga BE-ja Kosovës iu bë thirrje për përshpejtim të procesit.
Në tryezën e liderëve të Ballkanit Perëndimor me komisioneren e BE-së, Marta Kos, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk qe i barabartë me të tjerët.
Për dallim nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Mali i Zi e Serbia, në mungesë të Kuvendit të konstituuar, Kosova nuk ka pranuar ende mjetet e parafinancimit nga Plani i Rritjes.
Prapa Kosovës, është Bosnjë-Hercegovina e cila tek në qershor ka miratuar draftagjendën e reformave.
Pas takimit që u mbajt në Shkup për Planin e Rritjes, Komisioni Evropian përmes një komunikate i bëri thirrjes Kosovës që të ecë më shpejt me procedurat.
“Komisioni inkurajon Kosovën që të përshpejtojë procesin e miratimit për vënien në fuqi të marrëveshjeve për Instrumentin e Planit të Rritjes dhe për Hua për të zhbllokuar parafinancimin. Komisioni gjithashtu mirëpret miratimin nga Bosnja dhe Hercegovina të një drafti të Agjendës së Reformës më 27 qershor”, u tha nga Komisioni Evropian.
Në fjalën e tij nga diskutimin me liderët, i cili ishte i mbyllur për media, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka theksuar se Plani i Rritjes së BE-së është përgjigjja e duhur për përshpejtimin e reformave.
“Ne mbështesim propozimet mbi Turizmin, Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Autostradën e Tregut të Përbashkët. Ne mbështesim fuqishëm zhvendosjen e prodhimit dhe shërbimeve në vendet e afërta (nearshoring), e të cilat duhet të jenë edhe miqësore e të besueshme (friendly shoring) dhe e shohim atë si një mundësi të shkëlqyer jo vetëm për rajonin tonë, por edhe për BE-në gjithashtu. Ne shohim potencial për bashkëpunim në sektorët e mëposhtëm: Shërbimet digjitale konkurruese, duke përfshirë zhvillimin e softuerëve, sigurinë kibernetike, inteligjencën artificiale dhe teknologjitë e strukturuara, Sektorin e mbrojtjes; dhe Bujqësi dhe përpunimi të ushqimit”, tha Kurti.
Prej liderëve të rajonit diskutimet u zhvendosën në nivel të ministrave, derisa komisionerja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, në një konferencë për media, kërkoi nga udhëheqësit e rajonit që të shfrytëzojnë mundësitë që u janë ofruar.
Kos tha se Evropa nuk mund të jetë e bashkuar pa Ballkanin Perëndimor derisa bëri të ditur se mjetet për Planin e Rritjes i kanë në dispozicion deri në fund të vitit 2027.
“Nëse shtetet nuk janë në gjendje që t`i përvetësojnë ato ne do të duhej t`ia japim, unë më duhet t`i jap këto para në buxhetin e përgjithshëm të BE-së. Mendoj se është mënyrë më e mirë që shtetet të bëjnë reformat dhe ne të japim paratë te shtetet kandidate e jo te kthehen te buxheti i BE-së edhe pse unë jam pjesë e BE-së dhe kujdesem për këtë buxhet. Por me të vërtetë dua që deri në euron e fundit të shpenzohet në shtetet kandidate”, tha Kos.
Plani i Rritjes kap vlerën prej 6 miliardë eurosh për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Përmes këtyre mjeteve, një pjesë e së cilave do të jepen në formë të granteve e një pjesë si kredi, synohet përshpejtimi i realizimit të reformave e përgatitja e rajonit për anëtarësim në BE.
Nga ky fond Kosovës i janë ndarë rreth 900 milionë euro.
Takimi i radhës për Planin e Rritjes pritet të zhvillohet në vjeshtë në kryeqytetin shqiptar, Tiranën.