Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe Bashkimi Evropian dhe misioni i tij për sundim të ligjit në Kosovë, EULEX, kanë mohuar të ketë pasur koordinim nga Qeveria për vendimin me të cilin “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” janë shpallur organizata terroriste. E, eksperti i terrorizmit, Kolë Krasniqi, ka thënë se mungesa e koordinimit do t’i bëjë vështirë të realizueshme veprimet e institucioneve të Kosovës në përputhje me vendimin
Bashkimi Evropian dhe misioni i tij i sigurisë në Kosovë, EULEX, kanë bërë të ditur të enjten se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar para se t’i shpallte terroriste dy organizata që veprojnë në veriun e banuar kryesisht me serbë.
Javën e kaluar ekzekutivi i shpalli terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”, nën arsyetimin se ato paraqesin kërcënim serioz për sigurinë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se për këtë vendim kishte koordinim me ndërkombëtarët, porse këtë pretendim e mohuan menjëherë Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).
E, në një përgjigje për KOHËN, edhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë të mërkurën se vendimi i autoriteteve të Kosovës ka qenë i njëanshëm.
“Udhëheqësit e 27 vendeve anëtare të BE-së, në Këshillin Evropian javën e kaluar bënë thirrje për shtensionim të menjëhershëm të situatës në Kosovë. Këto emërtime janë një hap i njëanshëm që nuk kontribuon në shtensionimin e situatës dhe as për të gjetur një mënyrë për të adresuar problemet ekzistuese në mënyrë të qëndrueshme”, ka thënë Stano.
Edhe në misionin e BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, kanë thënë se koordinimi ka munguar para kësaj vendimmarrjeje.
“Përveç deklaratës së Peter Stanos, të cilën e keni pranuar dje, ne dëshirojmë të shtojmë se vendimi i Qeverisë së Kosovës nuk ka qenë i koordinuar me EULEX-in”, kanë bërë të ditur në një njoftim nga EULEX-i.
Kryeministri, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë të enjten e shkuar pati renditur disa arsye përse dy organizatat duhet të shpallen terroriste. Mes tyre pati përmendur “sulmet e armatosura ndaj Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it, sulmet ndaj qytetarëve e kundërshtarëve politikë, thirrjet për rezistencë dhe mosbindje, shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm, edhe përmes zjarrëvënies së pronës publike e private, pengimin e lëvizjes së lirë, detyrimin e qytetarëve për pjesëmarrje në protesta, barrikada dhe forma të tjera të rezistencës, organizimin dhe pengimin e zbatimit të vendimeve të institucioneve të vendit, rekrutimin dhe trajnimin e pjesëtarëve për përdorimin e armëve dhe metodave luftarake në baza ushtarake në Serbi, me qëllim kryerjen e sulmeve ndaj institucioneve vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë, kanosja dhe frikësimi i qytetarëve në veri të vendit, subjekteve politike e kandidatëve me qëllim tërheqjen nga procesi zgjedhor dhe parandalimin e pjesëmarrjes në zgjedhje”.
E, eksperti i terrorizmit, Kolë Krasniqi, ka vlerësuar se mungesa e koordinimit me faktorin ndërkombëtar do ta bëjë vështirë të realizueshëm vendimin. Ai ka shprehur vërejtje edhe për mungesë transparence nga Qeveria në lidhje me veprimtarinë e të dyja organizatave.
“Nuk kemi ndonjë akuzë të ditur, nuk kemi ndonjë hetim të ditur, nuk ka ndonjë gjykim për aktivitete terroriste deri më tash të grupacioneve të tilla, edhe përkundër faktit se sipas njohurive nacionale dhe ndërkombëtare kanë ekzistuar një mori aktivitetesh në veri të cilat mund të vlerësohen qartë dhe pa dyshim si aktivitete terroriste dhe pa dyshim kanë merituar të vlerësohen, të ndiqen dhe të dënohen nga institucionet tona vendore”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka thënë po ashtu se vendimi i Qeverisë do të ndikojë për polarizime të mëtutjeshme midis qëndrimeve të shqiptarëve dhe të serbëve lidhur me çështjen e veriut.
Lidhur me qëndrimet e ndërkombëtarëve, KOHA nuk ka marrë përgjigje nga Zyra e Kryeministrit dhe as nga Ministria e Punëve të Brendshme.