LAJMET E MBRËMJES

Arrestohen tre zyrtarë të Komunës së Prishtinës, njëri u kap duke marrë ryshfet

Tre zyrtarë të shërbimeve publike në Prishtinë janë arrestuar të martën pas një hetimi disaditor të organeve të rendit. Njëri nga zyrtarët është kapur duke i marrë 2 mijë euro ryshfet nga një punëkryerës, në mënyrë që të përshpejtonte pagesën për të nga Komuna. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka ofruar bashkëpunim për organet e rendit, e Lëvizja Vetëvendosje në reagimin e saj ka thënë se ky rast nuk është i izoluar

Me 2 mijë euro në duar është zënë nga policia zyrtari i shërbimeve publike në Komunën e Prishtinës, A.G.

Ai bashkë me dy të tjerë me inicialet D.G. dhe B.S., po ashtu zyrtarë të shërbimeve publike, janë arrestuar të martën në kryeqytet. 

Të dyshuarit, sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, dyshohet se kanë kërkuar nga i dëmtuari që të paguajë një shumë mjetesh në mënyrë që t’i realizohet pagesa për punët që kompania e tij ka kryer në Prishtinë. 

KOHA merr vesh se ai ka pasur kontratë për mirëmbajtje të rrugëve, porse nuk ishte paguar.
Kryeprokurori Zejnullah Gashi ka thënë se rasti ishte duke u hetuar tash e disa ditë.

“Gjatë zbatimit të masave të veçanta hetimore janë shoqëruar tre persona, ndër të cilët zyrtari i Komunës A.G. është arrestuar në flagrancë për veprën penale ‘Marrje e ryshfetit’ sipas nenit 421 të KPRK-së, me qëllim që të ndihmojë të dëmtuarin të realizojë një pagesë për punët të cilat i kishte kryer sipas kontratës me Komunën”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

E kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në një reagim në Facebook, ka thënë se institucioni që ai udhëheq do të ofrojë bashkëpunim të plotë me të gjitha organet kompetente.

“Kryeqyteti riafirmon përkushtimin ndaj sundimit të ligjit dhe  funksionimit të pavarur të institucioneve të drejtësisë të Republikës së Kosovës. Në lidhje me arrestimin e zyrtarëve të Komunës së Prishtinës kryeqyteti do të ofrojë bashkëpunim të plotë me të gjitha organet kompetente, në përputhje me detyrimet ligjore dhe standardet e një shteti demokratik. Në këtë frymë kryeqyteti Prishtina mbetet i hapur për çdo proces verifikimi dhe veprim procedural, në frymë bashkëpunimi dhe me respekt të plotë për organet e drejtësisë të Republikës së Kosovës. Askush mbi ligjin!”, ka shkruar Rama.

Ndërkohë për degën e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë ky rast nuk është i izoluar dhe se organet e rendit kanë edhe çështje të tjera për të hetuar brenda institucionit.

“Krimi dhe korrupsioni në Komunën e Prishtinës janë të rrënjosura thellë, si pasojë e një qeverisjeje të papërgjegjshme dhe pa llogaridhënie. Kjo gjendje ka dëmtuar seriozisht funksionimin e institucionit komunal, ka minuar besimin e qytetarëve dhe ka penguar zhvillimin normal të kryeqytetit”, thuhet në reagimin e VV-së, dega në kryeqytet.

Me vendim të prokurorisë, të tre zyrtarët janë dërguar në mbajtje për 48 orë.