Në rastin e ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së para Dhomave të Specializuara dëshmoi të martën Rrustem Tetaj, ish-komandant i Kazermës së Prapaqanit. Ai ka deklaruar se në një takim së bashku me Hashim Thaçin e Bislim Zyrapin, morën zarfet me njoftime për pozitat që do t’i mbanin, ai, Tahir Zemaj e Ramush Haradinaj. E në zarf, ai tha se, nuk shkruhej emri i komandantit të Shtabit të Përgjithshëm, pavarësisht se pati nënshkrim
Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare dhe drejtues i Kazermës së Prapaqanit në Deçan, Rrustem Tetaj, ka dëshmuar të martën në rastin e ish-udhëheqësve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë.
Tetaj ka theksuar se vendimet për ndryshim të pozitave të Tahir Zemajt e Ramush Haradinajt erdhën nga pjesëtarët e Shtabit të Përgjithshëm – nga i akuzuari në këtë rast Hashim Thaçi dhe Bislim Zyrapi, që më herët dëshmoi para Dhomave të Specializuara.
“Na kanë sjellë zarfet, secilit na i kanë ndarë, secilit me poste si urdhëresa. Secili e ka marrë detyrën e vet me zarfet që na i kanë dhënë të mbyllura. Kur i kemi hapë ne zarfet i kemi parë secili detyrat e veta, në çfarë rangu ish i caktuar, edhe i nënshkruar nga komandanti i shtabit të përgjithshëm”, ka thënë Tetaj.
Ai ka folur edhe për mospajtime mes Zemajt dhe Thaçit.
“Kështu që ne nuk u pajtuam derisa nuk e dimë emrin e komandantit të shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Tahir Zemaj, që e kishte pozitën e komandantit të shtabit rajonal të rrafshit të Dukagjinit u bë zëvendës e Ramush Haradinaj e mori detyrën e komandantit të rrafshit të Dukagjinit. Aty nuk janë pajtuar as Tahiri as nuk është pajtuar Hashim Thaçi. Krejt qëllimi pse s’u pajtuan është se edhe Tahiri e edhe unë e kërkonim (të dinim v.j.) se kush është komandant (i përgjithshëm i Shtabit të UÇK-së v.j.)”, ka thënë dëshmitari.
Ai përmendi edhe një takim në Zhebel, ku Thaçi bashkë me Zyrapin, kishin ardhur për të folur lidhur me FARK-un, formacion që funksiononte në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes të Qeverisë në ekzil.
“T’ju them të drejtën aty ishte biseda që ishin dy fraksione, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe Forcat e Armatosura të Kosovës, me emrin FARK, edhe gjithqysh ishte presion që të largohemi nga FARK-u dhe të jemi pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E në realitet, ishim të gjithë ushtarë. Me tepër kanë qenë ato pyetje. Tani nuk më kujtohet më shumë, por e di që ndërhyrja ka qenë në lidhje me Forcat e Armatosura të Kosovës me emrin FARK”, ka thënë dëshmitari.
I pyetur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar se kush bënte presion lidhur me FARK-un, ai e përmendi Hashim Thaçin, por se tha se nuk mund ta kujtojë të gjithë përmbajtjen e bisedës me të.
“Vetë takimi edhe prezenca e Hashim Thaçit, që ishte prezent, ai më tepër ka folë në ato momente. Mirëpo t’ju them të drejtën të gjitha ato sot nuk më kujtohen. Ka kaluar një kohë e gjatë që me mendu saktësisht cka kemi folur. Është e pamundshme t’i mbaj në memorien time”, ka thënë Tetaj.
Gjatë dëshmisë së tij, ai ka thënë se ka ndodhur gabim me një përmbledhje të deklaratave të tij.
Prokurori Nathan Quick e pyeti atë duke u thirrur në këto deklarata.
“Në intervistën për ZPS-në...ju keni thënë se hera e parë që jeni takuar me Hashim Thaçin ka qenë më 21 gusht 1998, ku u caktua Tahir Zemaj si komandant i Zonës. Ju thatë që në këtë rast jeni takuar me z. Thaçi dhe z. Zyrapi në zyrën tuaj, në kazermën Prapaqanit dhe gjatë këtij takimi keni biseduar për luftën. Dëshmitar, përafërsisht sa kohë pas këtij takimit kur u emërua Tahir Zemaj, jeni takuar me Thaçin në zyrën tuaj në Prapaqan”, pyeti Quick.
E dëshmitari u përgjigj se koha në përmbledhjen e prokurorisë është e gabuar.
“Me sa më kujtohet mua kjo ka qenë para emërimit të Tahir Zemajt që jemi takuar – nja dy herë që e kam takuar Hashim Thaçin. Një herë e kam pasur kontakte më shumë me të e tjetrën herë ka qenë në zyrën time, ka qenë edhe një person tjetër me rroba civile, nuk ka pasur uniformë. Prezent ka qenë edhe Bislim Zyrapi. Por gjithqysh ka qenë përpara, para datës 21 kur është emëruar Tahir Zemaj komandant i rrafshit të Dukagjinit”, ka thënë dëshmitari.
I pyetur nga mbrojtja, dëshmitari e përmendi edhe rastin kur Ramush Haradinaj qe zgjedhur e jo emëruar për komandant në Dukagjin. Sipas tij, ishte një rast tjetër nga ai me zarf.
Tha se kjo u bë me vota e që një votë e pati edhe Rexhep Selimi. Në këtë rast të 1998-s, dëshmitari tha se Shtabi i Përgjithshëm nuk vendosi për pozitën e Haradinajt.
“Ne e formuam shtabin rajonal të Dukagjinit në Jabllanicë dhe e kemi zgjedhur Ramush Haradinajn si komandant të Shtabit rajonal të Dukagjinit, ne vetë e kemi zgjedhur. Sikur të ekzistonte një shtab i lartë do të na kishin ardhur urdhra. Do të thoshin Ramushi, Rrustemi, e ai tjetri e ai tjetri. Jo. Aty ka qenë edhe Rexhep Selimi. Edhe me vota e kemi bërë Ramush Haradinajn. Bile, Rexhepi e ka propozuar Lahi Brahimajn”, ka thënë Tetaj.
Për këtë kohë tha se shtabi i përgjithshëm ishte fiktiv.
“Ky është një element, se sikur të ketë pasur një strukturë të lartë të Shtabit qysh po pretendohet gjatë asaj kohe, gjatë luftës dhe pas luftës, ne s’do të kishim pasur nevojë t’i çojmë gishtat (për të votuar v.j.) kush të bëhet (komandant v.j.). Emërimet e komandanteve në ushtri nuk bahen me gishta por bahet me vendim. Prandaj, gjatë asaj kohe na nuk e kemi ditur që ekziston Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës edhe nëse ka ekzistuar, sot e asaj dite jam i bindur që ka qenë fiktiv duke e ditur që UÇK-ja ka lindur prej popullit dhe jo prej tre a katër vetash”, u shpreh dëshmitari Tetaj.
Në këtë rast ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes Rexhep Selimi, akuzohen lidhur me ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në bazë të aktakuzës së ZPS-së e publikuar në shkurt të vitit 2023, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, pastaj për tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës 1998-1999.
ZPS-ja pretendon se u kryen ndërmarrje të përbashkëta kriminale që ndërlidhet me gjashtë akuza për krime lufte. Shumica e viktimave të krimeve sipas ZPS-së, janë shqiptarë, civilë dhe pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Sipas ZPS-së, të akuzuarit kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm, lidhur me pretendimet për krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre.
Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki dhe se peshën e kishin komandantët e zonave.