Tri ditë pas aksionit të Policisë së Kosovës, që rezultoi me mbylljen e zyrave ilegale, gjatë ditës së hënë rreth 100 ish-punëtorë të Komunës paralele në Mitrovicë të Veriut kanë protestuar. Ata thanë se shkuan për t’u paraqitur në punë dhe jo për të protestuar. Objekti, tashmë i mbyllur, i është dhënë në shfrytëzim Ministrisë së Infrastrukturës
Rreth 100 ish-punëtorë të komunës paralele në Mitrovicë të Veriut kanë protestuar të hënën para objektit, që të premten iu vu dryni nga Policia e Kosovës.
Protesta, e cila nisi në orën 7:30, sipas punëtorëve, u bë për shkak të pamundësisë së tyre për të hyrë në objekt dhe për të punuar.
“Jam punëtore e administratës komunale tash e 20 vjet. Jemi këtu, si në çdo ditë pune, por po shohim që kjo nuk është e mundur. Nuk na lejojnë të futemi në objekt. Mbi një mijë njerëz kanë mbetur pa punë, e paramendoni edhe familjarët e tyre që vareshin nga paga e këtushme. Kam lindur në Mitrovicë, jetoj në Mitrovicë, nuk dua të shkoj nga këtu. Shteti i Serbisë qëndron pas nesh dhe besoj në të”, ka thënë Jelena Timotijeviq, punëtore e komunës ilegale të Mitrovicës së Veriut.
Bashkë me komunën paralele në këtë qytet, u mbyllën edhe zyra e Qarkut për Mitrovicë si dhe tri komunat paralele në Zveçan, Zubin-Potok e Leposaviq, të gjithë në kuadër të sistemit të Serbisë.
Por protesta pati vetëm në Mitrovicë të Veriut të hënën.
Sipas zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës për Rajonin e Veriut, Veton Elshani, situata në Komunën e Zveçanit, atë të Zubin-Potokut dhe Leposaviqit ishte e qetë.
Elshani ka bërë të ditur se protestuesit kanë tentuar të futeshin brenda objektit, por se janë ndaluar nga Policia e Kosovës.
“Sot kanë ardhur punëtorët të cilët kanë punuar në strukturat paralele për t’u paraqitur në punë. Në mesin e tyre ka pas edhe qytetarë të cilët janë bashkëngjite, kanë qenë diku 70-80 persona. Protesta ka qenë, në fakt kanë tentuar të hynë brenda për të punuar, ne i kemi treguar që kjo ndërtesë është duke u hetuar nga prokurori në Mitrovicë dhe si i tillë është i blinduar dhe as ne si polici nuk mund të hymë Brenda”, ka thënë Elshani.
Elshani ka konfirmuar se objekti i është dhënë në shfrytëzim Ministrisë së Infrastrukturës, e cila do të kthehet në qendër për patentë shoferë.
Në protestë ishin edhe përfaqësuesit e Listës Serbe, parti e serbëve të Kosovës e mbështetur nga Beogradi zyrtar.
Drejtori i Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidor në kuadër të sistemit paralel, Igor Simiq, njëherësh anëtar i Listës Serbe, tha se më shumë se 30.000 persona marrin shërbime nga puna e këtyre institucioneve.
“Këto nuk janë institucione paralele sepse shërbimet që ofrojnë këto institucione nuk i ofron askush tjetër. Ne paguajmë 30.000 pensione për të gjithë qytetarët, pa dallim etnie. Më shumë se 4.000 shqiptarë nuk do të mund të marrin pension sepse dikush vendosi të hyjë në këtë ndërtesa dhe 26.000 serbë dhe boshnjakë”, ka thënë ai.
Simiq i bëri thirrje misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, që të mundësojë që këta persona të kthehen në punë dhe të “mundësojë lirinë e lëvizjes në punë”.
Ai po ashtu i kërkoi Bashkimit Evropian, shteteve të QUINT-it dhe UNMIK-ut “të dënojnë këto lëvizje dhe të mbështesin këta persona dhe të drejtën e tyre për punë”.
Në afërsi të vendit ku serbët u mblodhën mëngjesin e së hënës u panë edhe pjesëtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës, si dhe dy automjete të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX).
Më 30 gusht, Policia e Kosovës, nën dyshimin për lëshim të dokumenteve të falsifikuara, ka mbyllur 5 objekte të komunave paralele në katër komunat veriore.
Ky veprim është dënuar nga faktori ndërkombëtar, duke e quajtur operacionin si “të njëanshëm dhe të pakoordinuar”.
Më herët, janë mbyllur edhe zyra të tjera të komunave ilegale në qytete anembanë Kosovës.