LAJMET E MBRËMJES

IKD: Qeveria dhe Kuvendi e shkelin Kushtetutën dhe e shpërfillin Gjykatën Kushtetuese

1 gushti ka qenë afati që Gjykata Kushtetuese ia pati caktuar Kuvendit për miratim të një ligj të ri për pagat, në të cilin do të korrigjoheshin pjesët që janë vlerësuar në kundërshtim me Kushtetutën. Në mungesë të veprimit në përputhje me afatin, në Institutin e Kosovës për Drejtësi i kritikuan Qeverinë dhe Kuvendin për shpërfillje të aktgjykimit të Kushtetueses dhe për shkeljen e aktit më të lartë juridik të shtetit

23 dhjetorin e shkuar, Gjykata Kushtetuese e rrëzoi si pjesërisht kundërkushtetues Ligjin për Pagat në Sektorin Publik, porse Qeveria e Kuvendi nuk ndërmorën hapa për t’i përmbushur detyrimet e vendosura në aktgjykim, vlerësuan në Institutin e Kosovës për Drejtësi.

Nëpërmjet një komunikate, në IKD thanë se ky mosveprim përbën shkelje të Kushtetutës dhe të aktgjykimit të Kushtetueses.

“Mosmiratimi i Ligjit për Pagat në Sektorin Publik nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës brenda afatit të përcaktuar sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, paraqet shkelje të këtij aktgjykimi, shpërfillje të kësaj gjykate, shkelje të Kushtetutës, cenim të të drejtave në shtesë të pagës sipas përvojës së punës së dhjetëra mijëra shërbyesve civilë në Kosovë, si dhe krijohet një praktikë e dëmshme për promovimin e demokracisë”, u tha nga IKD-ja.

Qëkur aktgjykimi u bë i plotfuqishëm më 1 shkurt të këtij viti, Kushtetuesja u dha institucioneve gjashtë muaj afat për ta miratuar ligjin e ri. Në aktgjykim e pati rrëzuar pjesën e ligjit në të cilën parashihet përgjysmimi i shtesës së përvojës së punës, nga 0.5 për qind në 0.25 për qind në vit. Sipas IKD-së, mosmarrja parasysh e afateve që i ka përcaktuar gjykata paraqet edhe dobësim të shtetit ligjor.  

“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për të gjitha institucionet dhe individët në Republikën e Kosovës, pasi ato përfaqësojnë interpretimin përfundimtar të Kushtetutës. Mosrespektimi i këtyre vendimeve përbën një shkelje të rëndë të aktit më të lartë juridik të vendit, duke krijuar një praktikë të rrezikshme. Një sjellje e tillë rrezikon të krijojë një precedent negativ që dobëson rendin kushtetues dhe stabilitetin e përgjithshëm të funksionimit të shtetit ligjor”, u tha nga IKD-ja.

Në IKD kërkuan që kjo çështje të adresohet urgjentisht nga Qeveria e Kuvendi.

Javën e shkuar, kryetari i Komisionit për Legjislacion dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, pati vlerësuar se mosveprimi i institucioneve në përputhje me atë që shkruhet në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese nuk përbën shkelje të Kushtetutës.

Ai pati theksuar se ndryshimet e kërkuara do të bëhen, porse afatet e vendosura në aktgjykim kanë natyrë udhëzuese e jo obliguese.

Por në reagimin e IKD-së thuhet se mosmarrja parasysh e këtyre afateve përbën precedent të keq e edhe shkelje të të drejtave të atyre që do të duhej të merrnin paga më të larta, në përputhje me aktgjykimin e instancës më të lartë për interpretimin e ligjeve.