Presidentja Vjosa Osmani i ka nisur takimet me përfaqësues të subjekteve opozitare duke theksuar rolin që do ta ketë Gjykata Kushtetuese në interpretimin e draftpropozimit të Bashkimit Evropian për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Përveç mospajtimeve mes pushtetit dhe partive opozitare, dallime ka edhe brenda kampit opozitar. Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj e ka akuzuar kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku se është bërë pjesë e mashtrimeve të Kurtit e Osmanit
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, i ka nisur konsultat me Lidhjen Demokratike të Kosovës mbi draft statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilin deri tash e kanë parë vetëm liderët e shtetit dhe ata opozitarë. Osmani e ka pritur të hënën në zyre kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku me të cilin ka theksuar domosdoshmërinë që fjalën e fundit për draftin ta thotë Gjykata Kushtetuese.
“Presidentja Osmani me z.Abdixhiku ka diskutuar për Drafstatutin e Asociacionit dhe në këtë kontekst, ka ritheksuar se Gjykata Kushtetuese është institucioni që duhet ta bëjë vlerësimin e kushtetutshmërisë, duke u udhëhequr nga parimi i pavarësisë dhe profesionalizmit. Z.Abdixhiku e ka njoftuar presidenten lidhur me shqetësimet e LDK-së sa i përket përmbajtjes së draftstatutit dhe janë diskutuar mundësitë për trajtimin e këtyre shqetësimeve në mënyrë që të mos lejohen dykuptimësi që mund ta dëmtojnë funksionimin e brendshëm të Republikës së Kosovës”, shkruan në komunikatën e presidencës.
Sipas njoftimit, ftesa për takim u janë dërguar edhe subjekteve të tjera opozitare, ndërsa takime do të ketë edhe me përfaqësues të komuniteteve jo shumicë në kuvend, shoqërinë civile dhe mediat.
“Institucioni i Presidencës është vazhdimisht i hapur për koordinim me parti dhe institucione për çështje të rëndësisë nacionale. Në kuadër të konsultimeve të fundvitit, krahas takimeve me krerë të institucioneve dhe të partive politike, Presidentja Osmani do të mbajë takime edhe me përfaqësues të komuniteteve joshumicë në Kuvend, me shoqërinë civile dhe me mediat”, thuhet në njoftim.
Përfaqësues të partive tjera opozitare kanë kritikuar pushtetin por edhe LDK-në se është bërë pjesë e mashtrimeve të Kurtit e Osmanit.
Edhe
Osmani pret në takim Abdixhikun, flasin për draftstatutin e Asociacionit
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka akuzuar LDK-në se në shumë situata nuk ka qenë e unifikuar me opozitën.
“(Presidentja Osmani) Është staf i Kurtit dhe të gjithë të tjerët nga Lista Vetëvendosje, Osmani, Konjufca janë staf i Kurtit dhe e përcjellin mashtrimin e Kurtit, janë pjesë e këtij mashtrimi. Për fat të keq edhe një pjesë e opozitës tonë, shihet se LDK-ja është në mbështetje të këtyre mashtrimeve në shumë situata deri më sot, që nga votimi i presidentes pastaj mospërkrahja e mocionit dhe shumë raste, edhe kjo prezenca për me i bë një lloj dekori fjalimit vjetor të presidentes, e cila s’pati asnjëherë gjatë gjithë vitit një qëndrim të prerë për cilëndo çështje të rëndësishme të jetës sonë”, ka thënë Haradinaj.
Deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e bojkotuan javën e kaluar fjalimin vjetor të presidentes Vjosa Osmani në Kuvendin e Kosovës.
Haradinaj e sheh të pamundshme që të ndryshojë versioni i draft-statutit të Asociacionit, pavarësisht vërejtjeve të kryeministrit Kurti te ndërmjetësit.
Sipas tij, nëse dokumenti dorëzohet në Gjykatën Kushtetuese ashtu siç u është prezantuar partive opozitare, atëherë do të dërgojnë komente në kushtetuese për të kundërshtuar disa nene të draft-statutit të Asociacionit.
“Qeveria duhet të tregojë sesi e ka paraparë implementimin, meqenëse e ka bërë një pranim në planin ndërkombëtar dhe tani çka pason. Nëse logjika është se qeveria dokumentin e paprekur, pa ndërhyrje fare e dërgon në Gjykatë Kushtetuese atëherë palët e shqetësuara, palët e tjera dërgojnë komente, pra bëjnë ankesë. Komentet (vërejtjet e qeverisë) nuk vlejnë më pas gatishmërisë për ta pranuar. Ju lutem, komentet kanë vlejtur deri para këtij qëndrimi të qeverisë, në kuptimin me ia dërgu BE-së. Por në momentin kur kryetari i qeverisë ka deklaruar se është i gatshëm për nënshkrim, por kërkon nënshkrimin edhe të palës tjetër, atëherë me siguri kjo situatë ka përfunduar. Pra nuk ekziston mundësia e komentimit te ndërmjetësi, por prapë së prapë besoj se është e mundshme që Gjykata Kushtetuese ta pastrojë këtë dokument prej disa pikave që ndërhyjnë në Kushtetutën e vendit”, ka theksuar Haradinaj.
Edhe
LDK-ja do “marrëveshje të madhe” me LVV-në
Qëndrimin e presidentes së draftin duhet ta vlerësojë Gjykata Kushtetuese e kanë thënë edhe zyrtarë të qeverisë. Kryeministri Albin Kurti ishte shprehur i gatshëm ta nënshkruajë propozimin evropian për statutin e asociacionit, krahas dokumentit bazë dhe aneksit të dakorduar në Ohër, por presidenti serb Vuçiq, nuk ka pranuar.
Në vitin 2015, Gjykata Kushtetuese pati konstatuar shkelje në parimet e Marrëveshjes për Asociacionin, duke kërkuar që përmirësimet të bëhen me rastin e draftimit të statutit.