LAJMET E MBRËMJES

28 Nëntori bën bashkë kryeministrat Albin Kurti e Edi Rama

Në qytetin ku u shpall pavarësia e Shqipërisë 111 vjet më parë u bënë bashkë kryeministrat Albin Kurti e Edi Rama. Ata nuk folën për problemet në komunikim që kanë me njëri-tjetrin.

Kryeministrat Albin Kurti dhe Edi Rama kanë lënë anash ndasitë, për të bërë bashkë nderime te Monumenti i Pavarësisë, në 111-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Të dy, bashkë me presidentin Bajram Begaj dhe kryeparlamentaren Lindita Nikolla morën pjesë në ceremoninë qendrore, të organizuar në Vlorë.

Nën përcjelljen e Gardës Kombëtare, ata vendosën lule para Monumentit të Pavarësisë e edhe para varrit monumental të Ismail Qemalit.

Pasi vizitoi ekspozitën në Muzeun e Vlorës, kryeministri Kurti nuk foli për ngërçin në komunikim me homologun e tij të Shqipërisë, por tha se 28 Nëntori është festë edhe e bashkimit për të gjithë shqiptarët në Shqipëri, në Kosovë e kudo që janë në Ballkan.

“Sot është ditë pushimi dhe feste e çdo ditë tjetër duhet të punojmë për idealet e synimet e Skënderbeut nga Kruja, Ismail Qemalit nga Vlora e Adem Jasharit nga Prekazi”, tha Kurti.

Kryeministri Rama nuk foli para mediave. Por, në Facebook përkujtoi komandantin legjendar, Adem Jashari.

“68 vjet më parë ADEM JASHARI erdhi në këtë botë mu në Ditën e Flamurit Kombëtar dhe iku nga kjo botë duke e lënë trupin pa jetë, si një monument të shtrirë në mesin e shtëpisë ku mbante flamurin kombëtar, e duke e ngjitur shpirtin në altarin qiellor të heronjve të kombit”, ka shkruar Rama.

Festë për Ditën e Flamurit, përpos Vlorës, pati edhe në Tiranë, Prishtinë e Shkup.