Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, nuk ka dhënë shpresa se Kosova së shpejti mund të bëhet pjesë e Partneritetit për Paqe, program ky që i paraprin anëtarësimit në aleancën transatlantike.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, të hënën, Stoltenberg, tha se vendimi u takon anëtarëve të aleancës, pa qenë në gjendje të japë një afat kohor.
“Anëtarësimi në Partneritetin për Paqe kërkon votë unanime. Kjo është një çështje që është diskutuar dhe për aspiratat e Kosovës. Por, siç thashë kërkon vendim nga të gjithë aleatët e NATO-s dhe nuk do të spekuloj se kur do të merret një vendim i tillë”, tha Stoltenberg.
Sipas presidentes Vjosa Osmani, përfshirja e Kosovës në këtë partneritet fillimisht e më pas edhe anëtarësimi në NATO, do të ishte garanci për sigurinë e gjithë rajonit.
“Stërzgjatja e procesit të anëtarësimit të Kosovës në këtë aleancë do të prodhonte pasoja të mëdha për sigurinë në të gjithë kontinentin evropian”, tha Osmani.
Duke folur për sulmet e fundit ndaj Kosovës, Osmani tha se ka shqetësime për përsëritjen e tyre dhe se vetëm masat ndaj Serbisë mund t`i parandalojnë ato.
“Do të vazhdojmë që të punojmë bashkë në mënyrë që të parandalojmë sulme të tilla edhe para se të fillojnë, por në qoftë se veç tentojnë kanë dështuar me 24 shtator do të dështojnë sërish”, tha Osmani.
E sekretari i NATO-s ka përsëritur kërkesën për ndëshkimin e përgjegjësve të sulmeve të majit e shtatorit. Ka thënë se ato kanë ngritur shqetësimet për kthimin e një konflikti të ri në Ballkanin Perëndimor dhe se Aleanca është duke e shqyrtuar mundësitë e shtimit të përhershëm të pranisë ushtarake në Kosovë.
Stoltenberg ka kërkuar edhe angazhimin e Kosovës dhe të Serbisë në dialog, teksa formimin e Asociacionit e ka konsideruar hap kyç për normalizimin e marrëdhënieve.
“Mirëpres propozimet e fundit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ky do të ishte një hap kyç drejt normalizimit të marrëdhënieve, paqes së qëndrueshme e prosperitetit në rajon”, tha Stoltenberg.
Stoltenberg ka përsëritur, po ashtu, se Forca e Sigurisë e Kosovës duhet të marrë pëlqimin nga NATO-ja për vendosjen e trupave në veri, derisa për veprimet e Policisë, u shpreh se NATO-ja pret konsultime.
Pas Osmanit, ai është takuar edhe me kryeministrin Albin Kurti. Jens Stoltenberg gjatë turit në Ballkan do të vizitojë edhe Serbinë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Maqedoninë e Veriut.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.