Me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe do të shuhen institucionet e Serbisë në Kosovë, ka thënë ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.
Në një intervistë për RadioKim, ai ka theksuar se Asociacioni nuk do t’i zgjidhë problemet e serbëve, ndonëse atyre iu prezantohet si një institucion i tillë.
“Në momentin kur do të miratohet Asociacioni, këto institucione që ne i dimë tani nën Republikën e Serbisë do të zhduken, do të inkorporohen në këtë institucionin tjetër që nuk ka kapacitet të pranojë të gjithë ata punonjës, në atë shembullin klasik”, ka thënë ai.
Ndaj Rashiqit ka reaguar shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq. Ai ka thënë se me kërkesë të kryeministrit Kurti, Rashiq është duke dashur ta bëjë Asociacionin si diçka të pakuptimtë.
“Marrëveshja e vitit 2013 dhe ajo e vitit 2015 parashohin vazhdimin e funksionimit të të gjitha institucioneve serbe, të cilat, ndryshe nga situata aktuale, do të mbrohen nën ombrellën e AKS-së. Ministri i Kurtit vazhdon t’i sajojë gjërat, se kaq di!”, ka deklaruar Petkoviq.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e edhe Petkoviq kanë qëndruar një ditë më parë në Bruksel, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Petkoviq ka thënë të ketë qenë temë kryesore Asociacioni në takimin që ndaras kanë pasur me emisarin Miroslav Lajçak.
Bislimi e mohoi këtë, por e ka mbrojtur draftstatutin e Asociacionit, të pranuar nga ndërkombëtarët.
“Shqetësimet janë të individëve, të atyre që shpërndajnë drafte. Ne nuk punojmë me shqetësime. Ne punojmë me analiza dhe për më tepër kushtetutshmërinë e draftit të dërguar nga emisarët ndërkombëtarë e vërteton Gjykata Kushtetuese. As analistët nëpër studio, as politikanët... janë njerëz që marrin pagë mujore për me vlerësu kushtetutshmërinë e dokumenteve të cilat iu dërgohen atyre”, ka deklaruar ai.
Bislimi është shprehur optimistë që nisja e zbatimit të marrëveshjes për energjinë është afër, e duke folur për zgjedhjet në veri, ka thënë se iniciativa për mbajtjen e tyre iu takon serbëve të të katër komunave.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.