LAJMET E MBRËMJES

Maqedonci: Britania e Madhe vazhdon të luajë rol shumë të rëndësishëm në sigurinë e vendit tonë

Katërmbëdhjetë ushtarët britanikë që humbën jetën gjatë operacioneve në Kosovë, në Ditën e Përkujtimit, u nderuan nga ambasadori i Britanisë, Nicolas Abbott, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, e figura politike e ushtarake në vend.

Me lulëkuqe u shënua Dita e Përkujtimit, ku u nderuan ushtarët britanikë të rënë gjatë shërbimit në Kosovë.

Ambasadori i Britanisë, Nicolas Abbott, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, bashkë me ushtarakë vendorë e të huaj, vendosën lule të Memoriali për përkujtimin e 14 ushtarëve nga Britania që humbën jetën gjatë operacioneve në Kosovë.

Ambasadori Abbott falënderoi të pranishmit që morën pjesë në këtë ceremoni përkujtimore.

“Shumë krenarë që i kemi me ne sot, në atë që është gjithmonë një ngjarje shumë e veçantë për ne, është një ngjarje e veçantë për mua personalisht, një ngjarje e veçantë për Ambasadën tonë dhe iu falënderoj që jeni këtu për ta bërë atë një ngjarje të veçantë për të gjithë ne që po marrim pjesë”, ka thënë Abbott.

E, ministri Maqedonci kujtoi kontributin e Britanisë së Madhe që nga çlirimi e tutje.

“Kujtojmë gjithë mundin, sakrificën dhe angazhimin e forcave britanike në të gjitha fazat e zhvillimit të vendit tonë. Veçanërisht në fazën e çlirimit dhe në fazën e ruajtjes se sigurisë, stabilitetit dhe paqes. Britania e Madhe vazhdon të luajë rol shumë të rëndësishëm në sigurinë e vendit tonë, por edhe në mbështetje dhe në promovim si në aspektin ndërkombëtar ashtu edhe atë të mbrojtjes”, ka thënë Mqedonci.

E kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i konsideroi vëllezër 14 ushtarët britanikë.

“Ne si Kosovë kemi vëllezër të luftës, të cilët janë ushtarët e NATO-s, Mbretëria e Bashkuar ka qenë e fuqishme në përkrahje të lirisë tonë dhe si ish-ushtarë por edhe si deputet i Kosovës, e qytetar i këtij vendi, nderoj të rëntë e Mbretërisë së Bashkuar, pra ushtarët e KFOR-it në Kosovë, e po ashtu shprehim respekt për sakrificën e tyre, shërbimin e tyre, njëkohësisht për familjet e tyre dhe vendin”, ka deklaruar Haradinaj.

Dita e Përkujtimit ka për simbol lulëkuqen e cila për herë të parë u mbajt me të mbaruar Lufta e Parë Botërore, për të nderuar ushtarët britanikë të rënë në krye të detyrës.
Përpos në Mbretërinë e Bashkuar, Dita e Përkujtimit është festë zyrtare edhe në Kanada, Indi, Australi, Zelandë të Re në Afrikë të Jugut dhe në disa të shtete të tjera që në të kaluarën ishin pjesë e Britanisë.