LAJMET E MBRËMJES

Bastiset banesa e ish-këshilltarit të Thaçit, Artan Behrami

Zyra e Prokurorit të Specializuar i vazhdoi bastisjet në pronat e këshilltarëve të dikurshëm të ish-presidentit Hashim Thaçi. Të martën ndërmori aksion në banesën e ish-këshilltarit Artan Behrami, në Prishtinë. Avokati i tij, Artan Qerkini, ka shprehur vërejtjen për shkelje ligjore dhe kushtetuese gjatë aksionit, teksa tha se këto qëndrime do t’ia adresojë Gjykatës

Me autorizim të Dhomave të Specializuara dhe me asistimin e Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit, EULEX, e të Policisë së Kosovës, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kryer bastisje në banesën e ish-këshilltarit të presidentit Hashim Thaçi, Artan Behrami.

Aksioni i nisur rreth orës 8 të mëngjesit, që përfundoi rreth orës 17, sipas avokatit të Behramit, Artan Qerkini, ndërlidhet me gjetjen e materialeve që kanë të bëjnë me pengimin e administrimit të drejtësisë.

Për gjithë aksionin, ai shprehu vërejtjen se ka pasur shkelje ligjore e kushtetuese.

“Ne i kemi parashtruar disa vërejtje gjatë kësaj bastisjeje, ndërsa besoj se do të ndërmarrim edhe hapa konkretë ligjorë për të kundërshtuar këtë veprim, i cili bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës... Kjo është shkelja e radhës, se është bastisur edhe prona e familjarëve Behrami edhe pse nuk ka qenë në urdhrin që e njëjta të bastiset”, tha Qerkini.

Vërejtje pati edhe për pajisjet elektronike të konfiskuara, porse nuk shpalosi se sa syresh u konfiskuan.

“Nuk është konfiskuar asgjë me relevancë. Imagjinojeni, janë konfiskuar I-Pad-ët (v.j tabletet) e fëmijëve që në dukje të parë shiheshin se shërbejnë për shkollimin dhe lojërat e fëmijëve”, tha Qerkini.

E Behrami e akuzoi Zyrën e Prokurorit të Specializuar për përpjekjen për të bërë barazim midis gjenocidit të Serbisë dhe luftës së UÇK-së.

“Natyrisht që kjo e ka një cak politik dhe caku politik është krijimi i analogjisë dhe krijimi i një balanci artificial ndërmjet Serbisë, e cila ka bërë gjenocid në Kosovë dhe pretendimet kinse edhe UÇK-ja e ka bërë një gjë të tillë... Unë mendoj që bashkësia ndërkombëtare e Bashkimi Evropian, një fokus shumë më të madh duhet ta ketë te Putini, duhet ta kenë edhe në Lindjen e Mesme sepse krimet e vërteta janë duke ndodhur atje”, tha Behrami.

Kjo është bastisja e katërt që është ndërmarrë gjatë këtij viti ndaj ish-këshilltarëve të Thaçit. Të hënën u bastisën banesa e Blerim Shalës dhe shtëpia e Bashkim Smakajt, që më herët e mbajti pozitën e drejtorit të përgjithshëm të AKI-së. Rasti i parë i bastisjes ishte aksioni në pronën e Adil Behramajt, në shkurtin e sivjetmë.