Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar angazhim nga komunat drejt informimit të komuniteteve për procesin e regjistrimit të popullsisë. Gjatë takimit që pati të martën me zyrtarët komunalë për Komunitete dhe Kthim, Kurti foli për rëndësinë e regjistrimit të të gjithëve, derisa ministri Nenad Rashiq shpalosi projektet që janë realizuar
Zyrtarët komunalë për komunitete dhe kthim janë pritur të martën nga kryeministri Albin Kurti e ministri Nenad Rashiq. Të dy shprehën kërkesa për ta.
Kryeministri Kurti ka kërkuar nga ta që të angazhohen në informimin e qytetarëve nga komunitetet joshumicë për rëndësinë e pjesëmarrjes në regjistrimin e popullsisë, proces që do të nisë më 1 nëntor.
“Me informacionet që do të mblidhen nga regjistrimi ne do të kemi mundësinë si shtet të planifikojmë siç duhet për nevoja reale të popullsisë tonë, të dimë se sa shkolla na duhet, sa kilometra rrugë, e ku të investojmë në ekonomi”, tha Kurti.
E ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka folur për projektet që po realizohen.
Ka përmendur thirrjet për subvencionim të banorëve nga komunitetet joshumicë si dhe fondin prej 3 milionë eurosh për ta.
Rashiqi pati edhe kritika për komisionet komunale për komunitete dhe kthim.
“Një çështje tjetër thelbësore, nuk kemi mbledhje të komisioneve komunale për komunitete dhe kthim për pranim të kërkesave të reja tash e një kohë të gjatë. Sot, sipas informatave, kemi 215 aplikues që presin për punën tuaj dhe kjo është vetëm nga 8 komuna”, tha Rashiq.
Procesi i regjistrimit të popullsisë, ishte planifikuar të nisë në shtator, por Qeveria e shtyri për nëntor. Sfidë në këtë proces mbetet realizimi i tij në komunat e banuara kryesisht me serbë.
Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 2011, ku nuk u përfshinë banorët e katër komunave në veri. Në fakt, regjistrimi është dashur të bëhet në vitin 2021, po u shty për shkak të pandemisë COVID-19.