LAJMET E MBRËMJES

Dëshmon Avdullah Hoti në rastin “53-milionëshi”, thotë se MF-ja i pati kryer obligimet financiare

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dëshmuar ish-ministri i Financave Avdullah Hoti, në rastin gjyqësor të njohur si “53-milionëshi”. Ai tha se gjatë kohës sa ka qenë ministër, nuk ka pasur borxhe ndaj kompanisë “Bechtel & Enka”, së cilës në kohën e Qeverisë Haradinaj iu paguan me aneks-kontratë 38 milionë euro më shumë, sesa që kishte vlerësuar kompania e angazhuar për menaxhimin e autostradës Prishtinë-Hani i Elezit.

Ish-ministri i Financave, Avdullah Hoti, gjatë dëshmisë për 53 milionë eurot që qeveria ia pagoi konsorciumit “Bechtel & Enka”, ka thënë se gjatë ushtrimit të mandatit, qeveria nuk i ka mbetur borxh kësaj kompanie.

Qeveria pasuese e drejtuar nga Ramush Haradinaj e bëri këtë pagesë ndaj “Bechtel & Enka”, nën justifikimin e dëmeve që i ishin shkaktuar konsorciumit, shkaku i mosshlyerjes së detyrimeve në kohë nga ekzekutivi.

E në dëshminë dhënë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Hoti e mohoi këtë.

“Me aq sa di unë, të gjitha obligimet, sa kam qenë unë ministër i financave, të gjitha obligimet financiare lidhur me këtë kontratë janë kryer, kjo duhet konfirmohet sigurisht. Nuk ka ndonjë faturë që lidhet me këtë projekt që ka mbetur e pa paguar nga buxheti i shtetit”, tha Hoti.

Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ish-këshilltari politik, Eset Berisha, ish-sekretari i Përgjithshëm, Nebih Shatri, si dhe ish-drejtori i Prokurimit Publik në këtë Ministri, Besim Tahiri, akuzohen për dëmtim të buxhetit, në vlerën 38 milionë euro. Ata kishin pranuar t’ia jepnin “Bechtel & Enka”-s 53 milionët, ndonëse kompania “Hill International” e angazhuar për menaxhimin e projektit të autostradës “Arbën Xhaferi” kishte dhënë opinion për dëmshpërblim prej gjithsej 14 milionë eurosh.

Sipas akuzës së Prokurorisë Speciale, Lekaj e ka shpërfillur këtë opinion.

Ish-ministri Hoti tha se në rishikimet buxhetore, vazhdimisht janë ndarë mjete për mbarëvajtjen e projektit të autostradës për në Han të Elezit, meqë kur është nënshkruar kontrata në korrik të 2014-s, në buxhet nuk kishte pasur mjete të mjaftueshme për të mbuluar vlerën e kontratës.

“Jemi munduar që t’i dalim zot kësaj kontrate me alokime shtesë të buxhetit duke qenë së kur është nënshkruar kontrata nuk ka pasur buxhet të mjaftueshëm”, tha Hoti.

Të hënën në këtë proces gjyqësor ka dëshmuar edhe ish-ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, i cili nënshkrimin e aneks-kontratës nga Lekaj e konsideroi si të jashtëligjshëm dhe tha se është dashur të merret parasysh opinioni i menaxherit të projektit “Hill International”.

Seancat e radhës për këtë çështje janë caktuar më 22 nëntor dhe 1,4 dhe 5 dhjetor.