LAJMET E MBRËMJES

Kurti kërkon ndëshkimin e Serbisë, thotë se ajo s’do bashkëpunim, por aneksimin e veriut

Autoritetet në Kosovë kanë përsëritur kërkesën ndaj Bashkimit Evropian për ta ndëshkuar Serbinë pas agresionit në veri. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Beogradi nuk është i interesuar për bashkëpunim rajonal, por për aneksimin e territorit të Kosovës. Ndëshkimin e fqinjit verior e ka kërkuar edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar ndëshkimin e Serbisë për sulmin në Banjskë të Zveçanit.

Në një tryezë diskutimi për Procesin e Berlinit, kryeministri ka thënë se fqinji verior nuk është i interesuar për bashkëpunim rajonal dhe anëtarësim në BE, por ka punuar në aneksimin e territorit të Kosovës.

“Çështja më e rëndësishme dhe urgjente sot është siguria për Kosovën e sulmuar dhe ndëshkimi për sulmuesit. Ndëshkimi për sulmuesit nënkupton ndëshkimin e Serbisë e cila e mbështeti financiarisht, ushtarakisht, logjistikisht, politikisht, publikisht, zyrtarisht, atë që ndodhi në Banjskë të Zveçanit të dielën e 24 shtatorit, por në të njëjtën kohë edhe ekstradimi, dorëzimi i të gjithë atyre që janë duke u përndjekur, sepse ikën nga vendi i krimit dhe nga shteti ynë”, tha Kurti.

Sipas kryeministrit Kurti, shumica e pjesëmarrësve në sulmin terrorist të 24 shtatorit janë pjesë e dy organizatave të shpallura terroriste nga Qeveria e Kosovës.

“Nëse diçka tregojnë informatat preliminare është se shumica dërrmuese e atyre të përfshirëve në sulm terrorist dhe kriminal në Banjskë të Zveçanit është se ata ishin pjesëtarë ose të “Mbrojtjes Civile” ose të “Brigadës Veriore”, ose të të dyja prej këtyre”, tha Kurti.

Ndëshkimin e Serbisë për sulmin e ka kërkuar edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në një diskutim tjetër.

Ish-kryeministri ka thënë se për t’u marrë një veprim i tillë duhet hetim ndërkombëtar.

“Terrorizmi dhe sponsorët e terrorizmit ndëshkohen dhe e vërteta është interes i paqes në rajon, që bashkësia ndërkombëtare të marrë një pozicion të qartë, pra të gjitha institucionet si ato në BE, institucionet euroatlantike, në NATO dhe Uashington, që të ndëshkohet Serbia për sponsorizimin e një sulmi terrorist”, tha Haradinaj.

Institucionet e sigurisë në Kosovë, në fundjavë, kanë publikuar video nga trajnimi i grupit terrorist në Serbi, të siguruara nga dronët që i kanë konfiskuar gjatë operacionit të realizuar në Banjskë.