Kriminal e terrorist e ka vlerësuar emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, sulmin ndaj Policisë së Kosovës.
Sarrazin, të hënën, u takua me kryeministrin Albin Kurti, të cilit tha sa ia ka shprehur solidaritetin dhe ngushëllimet për vrasjen e policit të dielën në Banjskë të Zveçanit.
“Dje pamë një situatë të tmerrshme. E dënojmë fuqishëm këtë sulm kriminal dhe terrorist ndaj Policisë së Kosovës. Jemi këtu për të shprehur solidaritetin dhe ngushëllimet për familjarët e zyrtarit policor të Kosovës e gjithë shtetin”, ka theksuar Sarrazin.
Emisari gjerman ka bërë thirrje që të gjendet sa më parë një zgjidhje për zbatimin e marrëveshjes së dakorduar me Serbinë.
“Është e qartë se nëse dëshironi ta zgjidhni çështjen e sigurisë në kohë afatgjate ne duhet të kemi një dialog të suksesshëm dhe përfshirja në dialog dhe normalizimi midis Kosovës dhe Serbisë mund të jetë një ndër gurët e themelit të zhvillimit në të ardhmen. Nuk duhet ta ndalojmë këtë tani, ne duhet ta vazhdojmë më tutje, të mundohemi të gjejmë një zgjidhje që të zbatojmë marrëveshjen e Ohrit dhe të kemi një dialog të suksesshëm”, ka deklaruar Sarrazin.
Ai gjatë së hënës është pritur edhe nga presidentja Vjosa Osmani si dhe nga liderët e partive opozitare.
Për gjetjen e një rruge përpara, ka thënë se do të angazhohet edhe emisari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.
Sulmin ndaj Policisë së Kosovës e ka cilësuar akt frikacak e në kundërshtim me parimet e paqes dhe të bashkëpunimit.
“Ky sulm i tmerrshëm thekson më tej domosdoshmërinë e diplomacisë dhe dialogut parandalues, nënvizuar gjatë javës së kaluar, kur mora pjesë në javën e nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork. Në margjinat e OKB-së, fola me drejtues dhe kolegë të shumtë nga e gjithë bota. Në një mënyrë apo tjetër, të gjithë theksuam rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit”, ka shkruar Lajçak.
Në orët e para të së dielës, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serbësh, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku, ndërkohë dy policë të tjerë u lënduan.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.