Lajçaku ka qëndruar në Beograd pas pjesëmarrjes në Forumin Strategjik “Bled 2023” në Slloveni, në margjinat e të cilit ka takuar edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të përgatitjeve për rundin e ri të dialogut në nivel të lartë
Përpjekjet për uljen e tensioneve dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja në katër komunat e Kosovës me shumicë serbe, si dhe zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të dala nga dialogu Kosovë-Serbi kanë qenë temat që emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, i ka diskutuar të mërkurën në një takim të mbajtur me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd.
Vizita e Lajçakut në Serbi është pjesë e përgatitjeve për takimin e radhës të nivelit të lartë midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Vuçiqit, të paralajmëruar për në shtator.
Lajçak ka njoftuar nëpërmjet një postimi në Twitter se ka pasur diskutime thelbësore me Vuçiqin rreth temave të ndryshme.
“Në Beograd kam pasur diskutime thelbësore me presidentin Vuçiq për takimin e radhës të nivelit të lartë në shtator, përpjekjet për uljen e tensioneve dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, si dhe për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të dialogut”, ka shkruar Lajçak.
E Vuçiqi ka bërë të ditur se në diskutimet më se dyorëshe ia ka shprehur Lajçakut shqetësimet lidhur me situatën në veriun e Kosovës.
“Unë jam shumë i shqetësuar për zhvillimet në Kosovë dhe për planin e Kurtit për të pushtuar me dhunë veriun e krahinës dhe për të dëbuar serbët nga vatrat e tyre shekullore. Ia përcolla përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak”, ka thënë Vuçiq.
Lajçak ka qëndruar në Beograd pas pjesëmarrjes në forumin strategjik “Bled 2023” më Slloveni, në margjinat e të cilit ka takuar edhe kryeministrin e Kosovës, në kuadër të përgatitjeve për rundin e ri të dialogut në nivel të lartë.
Krahas me Lajçakun, lidhur me vazhdimin e dialogut Vuçiqi të mërkurën është takuar edhe me kongresistin amerikan, Michael Turner. Vuçiq ka njoftuar në Instagram se me Turnerin ka diskutuar mbi marrëdhëniet bilaterale, shtegun evropian të Serbisë dhe për të gjitha çështjet e tjera aktuale rajonale e globale.
Në rrafshin e dialogut, Vuçiqi ka bërë të ditur se kongresistit amerikan ia ka përçuar mesazhin se Beogradi zyrtar po bën përpjekje të shumta në dialog, ngase këtë e kualifikon si “rrugën e vetme drejt arritjes së një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe zgjidhjes së situatave të krizës të shkaktuara nga veprimet e njëanshme të autoriteteve të Kosovës”.
“E falënderova kongresistin për përpjekjet që SHBA-ja po i bën në funksion të uljes së tensioneve në Kosovë dhe është me rëndësi që të thuhet qartë se e kujt është përgjegjësia për shkaktimin e trazirave, në vend që vazhdimisht t’u bëhet thirrje të dyja palëve për depërshkallëzim”, ka shkruar Vuçiq në Instagram.