Para Komunës së Graçanicës është protestuar në mbështetje të një pjesëtari të komunitetit rom, i cili është ankuar se disa policë kanë ushtruar dhunë ndaj tij, brenda stacionit të policisë në këtë komunë. Përfaqësues të shoqërisë civile që morën pjesë në protestë, thanë se protesta duhet parë edhe si rezistencë e vendosur kundër brutaliteteve që u nënshtrohen anëtarët e komunitetit rom.
Burhan Ibrahimoviq që është ankuar se dhjetë ditë më parë mbi të është ushtruar dhunë nga zyrtarë policorë të stacionit të Graçanicës, tregon se si u trajtua pas daljes nga paraburgimi, në momentin kur kërkoi të dijë për arsyen e një gjobe.
Qytetari i komunitetit rom, thotë se u dërgua në mbajtje pas një konflikti verbal që pati me një të moshuar.
“Kam dalë, afër këtu, qëndronin rreth pesë policë dhe kam pyet pse është gjoba? Do e marr, do të shkoj te një avokat në Prishtinë, ku do ta fillojë procesin në mënyrë ligjore. Menjëherë pas atij konflikti, policët kanë vrapuar deri këtu dhe më kanë marrë e më kanë dërguar në një dhomë, ku filluan të godisnin me grushte, kryet në tavolinë, syri ka qenë i ënjtur dhe dhembjen në qafë e ndiej ende”, tha Ibrahimoviq.
Para stacionit policor të Graçanicës u protestua të martën në mbështetje të Ibrahimoviqit, si dhe komuniteteve pakicë.
Përfaqësues të shoqërisë civile që morën pjesë në protestë, kërkuan llogari për veprimet e zyrtarëve policorë.
“Sot jemi mbledhur këtu jo vetëm të bashkuar kundër brutalitetit të policisë që ndodhi më 19 gusht në stacionin e policisë në Graçanicë, por edhe si një rezistencë e vendosur kundër brutaliteteve të tjera të pa raportuara që kanë prekur anëtarë të komunitetit romë edhe në vende të tjera në Kosovë”, tha Driton Berisha nga lëvizja Opre Roma Kosova.
Protestës iu bashkuan edhe qytetarë nga komuna të tjera.
Habib Hajdini nga Mitrovica tha se komunitetet pakicë përballen me padrejtësi.
“Papunësi kemi, të gjitha i kemi keq, po edhe kjo me ardhë dhe me na rrah padrejtësi kjo është e pamundur dhe ne apelojmë te të gjitha institucionet që të marrin parasysh se secili njeri që ka vepruar diçka keq, ekziston ligji dhe me ligj të punojnë e mos të punojnë siç dëshirojnë ata vetë”, tha Hajdini.
Rasti i Ibrahimoviqit është duke u trajtuar edhe nga Inspektorati Policor i Kosovës, i cili ka konfirmuar se ka pranuar një ankesë në të cilën pretendohet se një qytetar i komunitetit rom, më 19 gusht është rrahur brutalisht nga 4-5 zyrtarë policorë brenda stacionit policor në Graçanicë.