Presidentja Vjosa Osmani pret që vjeshta t’i gjejë katër komunat në veri me kryetarë të rinj. Ajo ka thënë se mënyra më e mirë do të ishte që serbët të mbajnë peticion për largim të kryetarëve aktualë pasi, sipas saj, ky organizim do të ishte dëshmi se serbët duan vërtet zgjedhje
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Kosova nuk ka marrë garanci nga Bashkimi Evropian se serbët në veri do të marrin pjesë në zgjedhjet që pritet të mbahen pas verës.
Për këtë, sipas saj, organizimi i peticioneve nga vetë serbët në këto katër komuna për zgjedhje të reja do të ishte zgjidhja më e mirë dhe do të nënkuptonte edhe pjesëmarrjen e qytetarëve serbë.
“Kështu që ne do të veprojmë, sa u përket obligimeve tona ne do t’i kryejmë të gjitha, mirëpo garancinë e pjesëmarrjes së serbëve e kemi në qoftë se shkojmë me këtë procedurën e 20-përqindëshit. Për shkak se në qoftë se vetë ata me nënshkrime e kërkojnë një proces zgjedhor, atëherë kemi shanse shumë më të mëdha që ata të marrin pjesë në këtë proces zgjedhor, që është edhe arsyeja pse kam insistuar që të shkojmë me këtë procedurë”, ka thënë Osmani.
Osmani pret që vjeshta t`i gjejë katër komunat në veri me kryetarë të rinj, ndonëse thotë se kjo varet nga dorëzimi i nënshkrimeve.
Lidhur me pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje as nga Qeveria e Kosovës e as nga Bashkimi Evropian nuk kanë treguar nëse ka garanci për pjesëmarrjen e tyre.
Mbajtja e zgjedhjeve në veri pas verës është një nga katër pikat e dakordimit të arritur ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian të hënën.
Dakordimi është mirëpritur nga presidentja Vjosa Osmani derisa ka shprehur pritjen që të ketë edhe ndryshim të qasjes së shteteve anëtare të BE-së sa u përket masave të vendosura ndaj Kosovës.
“Ne shpresojmë që 27-shja e BE-ja t’i tërheqin masat të cilat janë ndërmarrë ndaj Kosovës padrejtësisht së fundmi dhe ne mund të vazhdojmë me më shumë suksese në dialog, i cili do të vazhdojë këtë të mërkurë”, ka thënë Osmani.
Përveç mbajtjes së zgjedhjeve në veri, Qeveria është pajtuar që të zvogëlojë për 25 për qind praninë e policëve në ndërtesa komunale në veri dhe përreth tyre. Po ashtu, është arritur pajtimi për vlerësime të përbashkëta të sigurisë me misionet e KFOR-it e EULEX-it, si dhe për një takim në nivel kryenegociatorësh javën tjetër.
Qytetarët dhe partitë serbe bojkotuan zgjedhjet e 23 prillit, ku në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin-Potok e Leposaviq u zgjodhën kryetarë shqiptarë. Që nga futja e kryetarëve në ndërtesat komunale, serbët kanë protestuar vazhdimisht.